Lidhje

Portret i veprimtares afrikano-amerikane Eleanor Holmes Norton


Një nga ëndrrat e Martin Luter Kingut ishte të ndryshonte normat politike në Shtetet e Bashkuara, ku afrikano-amerikanët, ashtu si të bardhët, të luanin një rol të rëndësishëm në politikë.

Tani, kandidati presidencial Barak Obama dhe të tjerë e vlerësojnë udhëheqësin e të drejtave civile për krijimin e mundësive të reja për afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër veprimtare është Eleanor Holmes Norton. Ajo është delegate e Uashingtonit në Kongres, pa të drejtë vote dhe ka luftuar për një kohë të gjatë për të drejtat civile dhe përfaqësim të barabartë për votuesit e saj.

Eleanor Holmes Norton i përket brezit të tretë nga familja e saj që jeton në Uashington. Ajo thotë se karakteri i saj është formuar nga ky qytet.

“Stërgjyshi im, Richard Holmes, ishte skllav i arratisur. Dhe kështu arriti familja ime në këtë qytet.”

E lindur në vitin 1937, zonja Norton u rrit në Uashingtonin e ndarë sipas racave, ku fëmijët zezakë dhe të bardhë nuk shkonin në të njëjtat shkolla.

“Prindërit e mi dhe qyteti im kanë rritur njerëz si unë, të mësuar t’i shohin njerëzit që na ndanin si njerëz me të meta. Ne u mësuam t’i donim të gjithë njerëzit, dhe të kishim mëshirë për ata, injoranca e të cilëve, i bënte të besonin tek ndarja.”

Zonja Norton studioi në Kolegjin Antioch dhe në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit Yale. Si juriste e re që punonte për Bashkimin e Lirive Civile Amerikane në vitet 1960, zonja Norton debatonte në favor të të drejtave të barabarta në bazë të kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Puna e saj me këtë organizatë tërhoqi vëmendjen e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, i cili e punësoi atë të kryesonte komisionin e qytetit për të drejtat e njeriut. Në vitin 1977, administrata e presidentit Karter e riktheu zonjën Norton në Uashington në krye të Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi. Në vitin 1990 ajo u zgjodh për të përfaqësuar Uashingtonin, Distriktin e Kolumbias, në kongresin amerikan.

“Unë nuk u rrita me synimin për t’u bërë anëtare e kongresit. Ky qytet nuk kishte anëtarë kongresi që e përfaqësonin. Ai sundohej si një koloni me tre komisionerë të emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ky është një nga kapitujt më të turpshëm të historisë amerikane.”

Në rolin e saj si delegate e zgjedhur e Uashingtonit në dhomën e përfaqësuesve, zonja Norton mund të paraqesë projektligje, të marrë pjesë në komisionet e dhomës, madje edhe mund të kryesojë një nga këto komisione, megjithatë, ajo nuk mund të hedhë votën për miratimin e një ligji.

“Njerëzit që përfaqësoj unë dhe paraardhësit e tyre ende nuk kanë të drejta të barabarta me amerikanët e tjerë.”

Eleanor Holmes është një grua me shumë pasione. Tani që demokratët kanë shumicën në kongres, ajo kryeson një nga nënkomisionet, i cili, mes të tjerash, mbikqyr mirëmbajtjen e ndërtesave federale.

“Është e kushtueshme të marrësh përfitime nga energjia dhe të fitosh nga paratë e investuara.” Pas seancës, zonja Norton shkoi tek një qendër komuniteti për një konferencë mbi sëmundjen e Sidës.

“Fatmirësisht në Uashington ne kemi një sistem për njerëzit që nuk kanë sigurime shëndetsore.” Zonja Norton thotë se miratimi i ligjeve në demokraci varet shumë nga kompromisi, dhe kjo do të thotë të gjesh pikat e përbashkëta me opozitën.

“Duhet të bëhemi së bashku për ta çuar vendin përpara. Nganjëherë procesi ngec. Nganjëherë ai nuk lëviz aq shpejt sa do të donim ne, por po ju them, se kjo na bën të kuptojmë se jetojmë në një demokraci të mirë që nuk shkatërrohet sa herë që ka ndonjë mosmarrëveshje.”

Eleanor Holmes Norton po shërben në mandatin e saj të nëntë dy-vjeçar si anëtare kongresi e kryeqytetit Uashington. //bsa//

XS
SM
MD
LG