Lidhje

USAID fillon një projekt në 10 bashki të Shqipërisë


Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) filloi sot në dhjetë bashki të Shqipërisë një projekt të ri katërvjeçar, me një fond 7,3 milionë dollarë amerikanë, për të përmirësuar qeverisjen vendore, për të hapur vende të reja pune dhe për të mbledhur e përdorur më mirë taksat në dobi të komunitetit.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, thotë se gjysma e qytetit të tij është e papunë dhe se banorët mirëpresin çdo ndihmesë për ndryshimin e gjendjes.

“Në Kukës trajtohen me ndihma sociale 1 mijë e 900, nga 5 mijë familje gjithsej. Papunësia është problemi ynë më i madh dhe besoj që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje me USAID-in do të jetë një sinjal i mirë dhe një garanci më tepër për të zhvilluar biznese dhe aktivitete ekonomike në rajon të veriut. Me ardhjen e autostradës në afërsi të Kukësi, edhe qyteti ynë do të përfshihet ën projekte madhore zhvillmi” - tha ai.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, thotë se duke mbështetur forcimin e pushtetit vendor, projekti i USAID-it po ndikon në krijimin e një atmosfere ekonomike të përshtatshme për investime vendase dhe të huaja.

“Ne do të punojmë vazhdimisht për përmirësimin e promovimit territorial, për të cilin kemi deficite deri në këtë moment, por besoj se ky projekt do të na ndihmojë në përmirësimin e këtyre standarteve dhe do të bëjë të mundur që edhe bashkia e Shkodrës të ketë një klimë të favorshme për tërheqjen e investimeve”, - tha ai.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, e sheh projektin e ri si një ndihmë për projektet urbanisitike të qytetit.

“Qyteti i Korcës është duke hartuar planin e ri rregullues që sapo ka filluar, dhe ky plan nuk mund të jetë realist dhe i suksesshëm pa u bazuar në dokumenta strategjikë të rishikuar, të mirëkonceptuar, gjë për të cilën ne kemi nevojë për mbështetje” - tha ai.

Projekti i USAID-it synon që të përfshië grupet e interesit, shoqërinë civile, qarqet e biznesit në bashkëpunimin me pushtetin vendor në dhjetë bashkitë e zgjedhura.

“Që nga bashkia e vogël e Himarës në bregdetin jugor dhe deri në bashkinë e Kukësit në lartësitë e veriut të vendit, USAID ka vendosur të ndihmojë komunitetin e banorëve me modele pune, të cilat edhe mund të merren nga cdo bashki tjetër." - tha Eduard Landau, drejtori i USAID-it në Shqipëri. Ky projekt ofron teknika të reja bashkëkohore për bashkitë në mënyrë që ato të tërheqin investime private, të financojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe të përmirësojë shërbimet bashkiake”.

Projekti i shtrirë në Fier, Fushë-Krujë, Gramsh, Himarë, Korcë, Kukës, Lezhë, Librazhd, Pogradec e Shkodër parashikon ngritjen pranë cdo bashkie të një komiteti dypalësh për rritjen ekonomike me pjesëmarrje nga sektori publik, privat dhe shoqëria civile.//lk

XS
SM
MD
LG