Lidhje

Ministrat e Bashkimit Evropian diskutojnë lidhjet me Serbinë


Holanda thotë se nuk do ta mbështesë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë derisa Beogradi të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e OKB-së për krime lufte. Shefat e diplomacisë së BE-së takohen sot, ndërsa marrëveshja shihet si hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në organizatë. Komisioneri i BE-së për zgjerimin Oli Rehn thotë se vendet anëtare duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen për t’i dërguar një mesazh Serbisë se e ardhmja e saj është në Evropë. Megjithatë, ministri i punëve evropiane, holandezi Frans Timerman thotë se vendi i tij nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen nëse nuk ka bashkëpunim të plotë dhe nëse Beogradi nuk arreston kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian takohen në Bruksel sot dhe bisedimet përqendrohen në arritjen e një konsensusi mes vendeve anëtare për ofertën që do t’i bëhet Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht nga dështimi i Beogradit për të arrestuar të dyshuarit për krime lufte.

“Nuk e di se çfarë rezultatesh do të arrijmë, megjithatë mesazhi për Serbinë do të shprehë dëshirën tonë për të ardhmen e saj në BE,” tha Havier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Holanda ka këmbëngulur se do ta bllokojë marrëveshjen paraprake të anëtarësimit me Serbinë pavarësisht nga shqetësimet e vendeve të BE-së se kjo mund të rrisë ndjenjat anti-perëndimore në vendin ballkanik.

Shumica e anëtarëve të BE-së besojnë se marrëveshja do ta bëjë Serbinë t’i bashkohet perëndimit ndërkohë që rriten tensionet në pritje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, Holanda thotë se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen deri sa të dyshuarit për krime lufte të sillen para drejtësisë.

“Holanda është gati ta nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asociimit me Serbinë sapo Beogradi të dorëzojë personat e akuzuar nga gjykata për krime në ish-Jugosllavi,” tha ministri i jashtëm hollandez Maxime Verhagen.

Edhe Belgjika është dakort me Holandën, ndërsa 25 vendet e tjera anëtare duan që marrëveshja të nënshkruhet për t’i hapur Serbisë rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ata shpresojnë gjithashtu që marrëveshja të ndihmojë pro-perëndimorin Boris Tadiç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 3 shkurt kundër nacionalistit Tomislav Nikoliç. Pёrkrahja për zotin Nikoliç është rritur për shkak të pakënaqësisë ndaj qendrimit të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Tani që pritet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale serbe, ne duhet t’u dërgojmë atyre mesazhin se e ardhmja e Serbisë është në BE,” tha ministri i jashtëm britanik David Miliband.

Por për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit duhet miratimi i të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe shumica e këtyre vendeve shpresojnë ta bindin Holandën dhe Belgjikën para takimit me ministrin e jashtëm serb.

“Serbia ndodhet në udhëkryq. Ata do të zgjedhin mes së ardhmes në Bashkimin Evropian dhe të kaluarës nacionaliste. Prandaj, ne duhet të dërgojmë një mesazh të qartë duke e nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit,” tha Olli Rehn, komisioneri evropian për zgjerimin.

Zyrtarët holandezë thonë se t’i shpërblesh serbët me nënshkrimin e marrëveshjes do të ishte minim i parimeve evropiane të të drejtave të njeriut. Rezultatet e zgjedhjeve në Serbi do të përcaktojnë nëse Beogradi do t’i bashkohet familjes evropiane apo t’i kthehet të kaluarës nacionaliste. //bsa//

XS
SM
MD
LG