Lidhje

USAID jep ndihmë financiare për gjykatat shqiptare


Përfaqësues diplomatikë të SHBA shprehën sot në Tiranë besimin e tyre se debati që ka filluar në Shqipëri për reformimin e sistemit gjyqësor do të mbyllet së shpejti, me një mirëkuptim të forcave politike për ndryshimet e nevojshme ligjore.

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Xhon Uidhers, thotë se debati i hapur me nismën e presidentit Bamir Topi po zhvillohet në një drejtim pozitiv dhe reformat do të sjellin përmirësimin e drejtësisë. Ai i bëri këto komente në një ceremoni të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku u nënshkrua marrëveshja trevjeçare për një projekt 3,9 milionë dollarë amerikanë me ndihmë teknike dhe financiare për 10 gjykata të Shqipërisë.

“Perceptimi i opinionit publik se vendimet e gjykatave nuk merren mbështetur në fakte dhe ligj por i nënshtrohen ndikimeve apo interesave të tjera shkatërron besimin e publikut, dhe i shtyn qytetarët që të kërkojnë rrugë të tjera për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Marrëveshja me USAID vjen në mesin e një debati të gjerë publik të filluar nga presidenti Bamir Topi. Ky debat ka marë një drejtim pozitiv gjatë muajve të fundit dhe ndërsa ecet drejt një konsensusi të dëshiruar politik në këto reforma, sic shpresojmë të ndodhë, hapat konkrete për të përmirësuar gjykatat mund të fillojnë qysh tani”, - tha ambasadori amerikan.

Ambasadori Uidhers tha se qëllimi i përbashkët është që të përmirësohet dhënia e drejtësisë, dhe që gjykatat të fitojnë besimin e publikut.

Ndërsa nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, tha se kjo ndihmë mëse e nevojshme nga SHBA vjen në castin më të përshtatshëm kur qytetarët kërkojnë frenimin e korrupsionit në drejtësi, kur gjyqtarët po kërkojnë vetëqeverisje të sistemit të drejtësisë, dhe kur parlamenti po debaton për reformat në sistemin gjyqësor.

Sipas projektit të USAID-it në 10 gjykata do të hartohen strategji për zhvillim integriteti dhe antikorrupsioni, dhe do të punohet për të rritur besueshmërinë, transparencën, etikën dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

XS
SM
MD
LG