Lidhje

Një satelit spiun ka dalë nga orbita dhe pritet të bjerë në Tokë


Dikush mund të mendojë se botës po i vjen fundi. Një asteroid pritet të kalojë rreth 500 mijë milje larg tokës këtë javë, ndërsa një tjetër ka 75 përqind mundësi të godasë planetin Mars.

Tani njoftohet se një satelit spiun ka dalë nga orbita dhe pritet të bjerë në tokë. Sateliti në fjalë ka përmasat e një autobusi dhe peshon mbi 9 mijë kilogram. Ky satelit spiun amerikan ka dalë nga orbita dhe po i afrohet tokës me shpejtësi.

Xhon Pajk i faqes së internetit Globalsecurity.org thotë: “Tani sateliti ndodhet në një largësi prej rreth 160 kilometrash dhe po i afrohet tokës 800 metra çdo ditë”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes, që mbikqyr edhe objektet e lëshuara nga toka në hapësirë, thotë se sateliti mund të arrijë në tokë diku nga fillimi i muajit mars.

Zoti Pajk kujton laboratorin e hapësirës të NASA-s. Ai ishte më i madh se ky satelit dhe ra nga orbita duke u përplasur në Australinë perëndimore pa ndonjë incident në vitin 1979. “Laboratori i hapësirës ishte shumë më i madh, por atë e kishin nën kontroll deri në një farë mase. Ndërsa këtë satelit nuk mund ta kontrollojnë fare.” Sateliti spiun i dalë jashtë funksionit po udhëton me 29 mijë kilometra në orë. Meqenëse tre të katërtat e planetit tonë janë të mbuluara me ujë, mundësia që sateliti të bjerë në tokë është vetëm 25 përqind. //rd//

XS
SM
MD
LG