Lidhje

Presidenti serb Tadiç fiton në zgjedhje ndaj rivalit Nikoliç


Presidenti serb Boris Tadic fitoi zgjedhjet e djeshme presidenciale, duke lënë pas me një diferencë të vogël kandidatin nacionalist pro-rus, Tomislav Nikolic.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë mbrëmë vonë se zoti Tadic kishte fituar 51 për qind të votave në krahasim me 48 për qind që mori zoti Nikolic. Fitorja u dha shkas festimeve në qendër të Beogradit, ku zoti Tadic doli para selisë së partisë së tij për të falenderuar votuesit që zgjodhën të ardhmen evropiane në vend të izolimit.

“Do të doja të uroja të gjithë ata qytetarë të Serbisë që morën pjesë dhe që vërtetuan se Serbia është një demokraci e madhe evropiane”.

Rivali i tij, Kreu i Partisë Radikale, Nikolic e pranoi humbjen dhe e uroi Presidentin Tadic.

“Do të doja të përfitoja nga rasti ta uroja zotin Tadic për fitoren e tij. Dhe do të doja të falenderoja të gjithë ata që morën pjesë në këtë fushatë”.

Kjo është hera e dytë që nga viti 2004 që ai humber përballë zotit Tadic. Partia Radikale pro-ruse e zotit Nikolic drejtohet nga Vojislav Seselj që është në gjyq në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë. Marko Blagojevic i Qendrës së Beogradit për Zgjedhje të Lira tha se pjesëmarrja ishte më e lartë nga ç’pritej.

“Pothuajse 68 për qind e të gjithë votuesve vendosën të hedhin sot votat, që përbën një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, prej 4.5 milionë vetësh”.

Posti i presidentit në Serbi është në përgjithësi ceremonial. Kompetenca më e rëndësishme e tij është kontrolli mbi forcat e armatosura. Zgjedhjet u ndoqën me interes në Kosovë, e cila pritet të shpallë pavarësinë në javët e ardhshme. Zoti Tadic ka thënë se është kundër pavarësisë, por ka thënë se Serbia nuk do të ndërmerrte veprime ushtarake kundër forcave të NATO-s në Kosovë.

Goran Svilanovic, përkrahës i zotit Tadic, dhe ish-Ministër i Jashtëm, i uroi votuesit serbë për vendimin e tyre.

Ai i bëri thirrje kryeministrit nacionalist të Serbisë Vojislav Kostunica që të jepte dorëheqjen, pas rezultateve të zgjedhjeve. Megjithëse ai qeveris në koalicion me Partinë Demokratike të zotit Tadic, zoti Kostunica nuk kishte pranuar të mbështeste zotin Tadic për rizgjedhje.

Kryeministri donte që presidenti të mbante një qëndrim më të fortë kundër planit të Bashkimit Evropian për të dërguar një grup vëzhgues policor dhe të drejtësisë që ta çojë Kosovën drejt pavarësisë.

Rusia ka qenë aleatja kryesore e Serbisë për Kosovën dhe ka penguar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ta mbështesë pavarësinë e mbikqyrur. //kk//

XS
SM
MD
LG