Lidhje

Uashingtoni akuzon 6 veta për sulmet e 11 shtatorit, kërkon dënimin me vdekje


Qeveria amerikane ngriti akuza për vrasje dhe krime lufte kundër 6 të pandehurve për sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Një prokuror ushtarak amerikan tha se do të kërkohet që të pandehurit të gjykohen së bashku dhe ndaj tyre do të kërkohet dënimi me vdekje. Provat do të rishikohen tani nga një gjykatës ushtarak, i cili do të vendosë për gjykimin.

Të pandehurit përfshijnë Khalid Sheik Mohamed, i akuzuar si organizatori i sulmeve, si dhe Mohamed al-Qatahni, Walid bin Atash, Ramzi bin al-Shib, Ali abd al-Aziz dhe Mustafa Ahmed al-Hawsawi.

Të gjithë ata mbahen në bazën e Guantanamos dhe do të gjykohen nga sistemi i gjykatave ushtarake.

Gjenerali Tomas Hartman u tha sot gazetarëve në Pentagon se akuzat përfshijnë thurrje komploti, vrasje në kundërshtim me ligjet e luftës, akte terroriste dhe mbështetje materiale për terrorizmin.

Gjatë sulmeve të 11 shtatorit humbën jetën rreth 3 mijë persona kur rrëmbyesit e katër aeroplanëve përplasën dy prej tyre tek kullat binjake në Nju Jork dhe një tek ndërtesa e Pentagonit. Aeroplani i katërt i rrëmbyer u rrëzua në një fushë në Pensilvania. (ze)

XS
SM
MD
LG