Lidhje

Dmitri Medvdev, a do të jetë ai një kukull e Vladimir Putinit?


Më 2 mars, në Rusi zhvillohen zgjedhjet presidenciale, që pritet t’i fitojë Zëvendëskryemnistri Dmitri Medvedev. Zoti Medvedev është kandidatura e mbështetur nga Presidenti Vladimir Putin, një aleat i tij, i cili pritet që pas zgjedhjeve t’i kërkojë zotit Putin të bëhet kryeministër i Rusisë. Në vazhdim ju njohim me një portret të zotit Medvedev:

Gjatë dy muajve të fundit, kandidati rus për President, Dmitri Medvedev i ka rënë kryq e tërthor Rusisë, duke vizituar fabrika dhe duke mbajtur fjalime. Por ai mohon se ka qenë duke zhvilluar fushatë presidenciale. Ai thotë se këto udhëtime janë pjesë e detyrave të tij si zëvendëskryeministër i vendit. Po ashtu, zoti Medevdev nuk ka pranuar të marrë pjesë në ndonjë debat të transmetuar me televizion, krahas tre kandidatëve të tjerë presidencialë.

Në kushtet kur ai gëzon një mbështetje prej rreth 70 për qind, Medvedev është e sigurtë se do të arrijë një fitore dërrmuese në zgjedhjet presidenciale. Masha Lipman e Qendrës Karnegie në Moskë, shpreh kritika për rolin e ri që zoti Medvedev mund të marrë si Presidenti i ardhshëm i Rusisë:

“ Ai po bëhet President i Rusisë, pa konkurruar me asnjë person tjetër, pa ju dashur të japë argumentet e tij, apo të shprehë pozicionin e tij për çështje të rëndësishme.”- thotë studjuesja.

Dmitri Medvedev ka qëndruar përkrah Presidentit rus Vladimir Putin, që nga zgjedhja e tij e parë, në vitin 2000. Sapo Presidenti Putin ofroi mbështetjen e tij, që zoti Medvedev të konkurrojë për postin e Presidentit, u pa se rezultati përfundimtar do të ishte i pashmangshëm.

Tashmë pak dyshime ka, se votimi për zotin Medvedev në 2 mars, do të jetë në fakt një votim për zotin Putin. Zoti Medvedev ka thënë tashmë, se do t’i kërkojë Vladimir Putinit, që të bëhet Kryeministër i Rusisë pas zgjedhjeve. Pyetja që shumë analistë po shtrojnë tani është, në se Dmitri Medvedev do të jetë një president me personalitetin e tij, apo do të jetë ai thjesht një kukull e Vladimir Putinit? Analisti pro-Kremlinit, Vjaçeslav Nikonov, thotë se zoti Medvedev ka një stazh të gjatë pune dhe se tani ai është një figurë e konsoliduar.

"Ai ka qenë Shef Kabineti në administratën ruse, ka qenë Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Gazprom për 8 vjet, ka qenë për disa vjet anëtar i Këshilit të Sigurisë Kombëtare, si dhe Zëvendëskryeministër i Parë, i cili mbulonte politikat sociale. Ai është një politikan dhe pjesë e burokracisë shtetërore, me shumë eksperiencë", - thotë analisti.

Por gjatë një vizite të kohëve të fundit në aerodromin kryesor të Rusisë për provat me avionë, zoti Medvedev u ul në të vërtetë në ndenjësen e prapme, kur ai dhe zoti Putin hipën në avionin Tupolev. Shumë analistë e shohin këtë veprim të tij, si një shenjë për qëndrimin e tij në ditët e ardhshme.//lk

XS
SM
MD
LG