Lidhje

Dimitri Simes: Kosova do t’i largojë më shumë SHBA dhe Rusinë


Eksperti i çështjeve ruse, Dimitri Simes tha në një konferencë të mbajtur dje në Uashington se mosmarrëveshjet thelbësore rreth pavarësisë së Kosovës do t’i largojnë akoma më shumë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë nga njëra-tjetra.

Studiuesi i çështjeve të Rusisë, Dimitri Simes rrallë pajtohet me pikpamjet e politikanëve të Kremlinit. Por në çështjen e Kosovës, ai mbështet pikpamjet e Moskës. Zoti Simes thotë se duke nxitur aktivisht pavarësinë e Kosovës dhe duke anashkaluar Kombet e Bashkuara, Uashingtoni po shkel ligjin ndërkombëtar. "Mendoj se ajo që kemi bërë duke njohur pavarësinë e Kosovës, ishte e gabuar dhe kundërproduktive. Ajo bie në kundërshtim me Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, të cilin ne e përdorim çdo ditë për të kritikuar Rusinë dhe të tjerët lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut. Por Akti Final i Helsinkit natyrisht nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e njeriut por edhe me tërësinë territoriale të shteteve europiane."

Pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 të cilat i detyruan forcat serbe të largohen nga Kosova, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 12-44 e cila u dha Kombeve të Bashkuara juridiksion mbi Kosovën.

Zoti Simes, i cili kryeson Qendrën Nikson, një agjenci joqeveritare në Uashington që merret me çështje të sigurisë globale, thotë se Shtetet e Bashkuara vepruan në mënyrë arbitrare kur vendosën të anashkalonin rezolutën e OKBsë. "Pa ndryshuar këtë rezolutë, copëtimi i Serbisë nuk përputhet në asnjë mënyrë me ligjin ndërkombëtar”, thotë zoti Simes.


Sipas tij, shkëputja e Kosovës nga Serbia shërben si një precedent.

Triumfalizmi amerika, shpjegon ai, po e bën Uashingtonin që në mënyrë të gabuar të reklamojë pranimin e Ukrainës dhe të Gjerogjisë në NATO. Dhe ajo që është më shqetësuesja, thotë zoti Simes, mospërfillja e Uashingtonit për pikpamjet e Rusisë pothuajse garanton që Moska nuk do të rreshtohet me Perëndimin në kundërshtimin ndaj programit bërthamor të Iranit.

Ndërkohë, Frank Uisner, diplomati amerikan i cili punoi për nëntë muaj me radhë me të dërguarit e Moskës dhe të Brukselit në përpjekjen e pasuksesshme për të pajtuar qendrimet e Prishtinës dhe të Beogradit, thotë se deklarata e pavarësisë së Kosovës e mbyll këtë çështje. Ai thotë se nuk arrin ta kuptojë se përse Rusia e kundërshton me kaq forcë pavarësinë e Kosovës. Zoti Uisner e hedh poshtë idenë se Kosova përbën një precedent. “Kosova rezultoi nga ngjarjet tepër ngjethëse të spastrimit etnik, të shtypjes dhe të vrasjeve. Ajo rezultoi nga ndërhyrja e NATO-s. Problemi rezultoi nga marrëveshja e Këshillit të Sigurimit për të miratuar rezolutën 1244.”

Gjithashtu, zoti Uisner e hedh poshtë idenë se Uashingtoni dhe Brukseli kanë shkelur ligjin ndërkombëtar. Pas 9 vitesh pritjeje, argumenton ai, kishte ardhur koha për të zgjedhur dhe pavarësia ishte alternativa e vetme e pranueshme. //ii

XS
SM
MD
LG