Lidhje

Fushata "ndryshe" e Medvedevit në zgjedhjet presidenciale ruse


Të dielën zhvillohen në Rusi zgjedhjet presidenciale, ku pritet të fitojë kandidati i mbështetur nga Kremlini, Dimitri Medvedev. Fushata e zotit Medvedev për në zyrën më të lartë të vendit ka qenë shumë e ndryshme nga ajo që ndjekin kandidatët amerikanë për President.

Rusët po ndjekin me vëmendje procesin dinamik të një fushate presidenciale. Por nuk është fushata e tyre presidenciale. Media ruse po mbulon zgjedhjet paraprake në Shtetet e Bashkuara në një stil krejt tjetër nga mbulimi i zgjedhjeve presidenciale ruse.

Ndryshe nga konkurentët amerikanë, zoti Medvedev, kandidati i Partisë Rusia e Bashkuar, që ka pushtetin, nuk kishte nevojë të parashtronte vizionin e tij, apo të theksonte karrierën e tij politike në një garë të hapur, ku anëtarë të partisë në zona të ndryshme zgjedhin kandidatin e tyre bazuar në interesa specifike, qoftë rajonale, sociale, industriale apo financiare.

Ndryshe nga ata, zoti Medvedev mori emërimin në një ceremoni me dyer të mbyllura, për të cilën nuk dihet me saktësi procesi. Kandidatura e tij u bë e ditur në dhjetor, pasi udhëheqësit e disa partive, jo vetëm të Rusisë së Bashkuar, ia paraqitën emrin e tij Presidentit aktual Vladimir Putin. Megjithatë, besohet se vetë Presidenti Putin e kishte piketuar Dimitri Medvedevin.

Kandidati 42-vjeçar po ashtu nuk pranoi të zhvillonte asnjë debat me kandidatët e tjerë. Presidenti Putin thotë se s’ka nevojë për debate të tilla. "Përse duhet të marrë pjesë në debate dhe të diskutojë probleme që do të parashtrohen në një ton populist? Ne kemi pasur mundësinë t’u themi votuesve çfarë kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë. Me pak fjalë është thënë çdo gjë".

Zoti Putin thotë se kandidatët e opozitës, Andrei Bogdanov, praktikisht i panjohur si politikan, udhëheqësi komunist Genadi Zjuganov, politikani i rrymës populiste Vladimir Zhirinovski kanë pasur mundësinë të publikojnë programet e tyre. Por asnjë prej tyre nuk i ka bërë sfidë kandidatit kryesor dhe reklamat për kandidatët e opozitës zor se i gjen në Rusi. Pothuajse nuk ka reklama televizive për ta dhe thuajse asnjë afishe. Reklamat më të bujshme janë një seri afishesh të vogla, të pasuara nga një mori reklamash për t’u kujtuar njerëzve se zgjedhjet zhvillohen më 2 mars.

Një tjetër grup reklamash në Moskë shfrytëzon persona të njohur, si Kryetarin e Bashkisë Yuri Luzhkov, aktorin e Leonid Yakubovich apo Viktor Sadovnychy, një qytetar nderi, të cilët deklarojnë se do të votojnë. Duket se këto reklama kanë për qëllim të rrisin pjesëmarrjen në votime. Megjithëse Kremlini përgënjeshtron njoftime të tilla, ka zëra se institucione të mëdha si fabrika, spitale dhe universitete kanë qenë nën presion për të nxjerrë njerëzit në votime, që të sigurohet niveli prej 65 për qind e elektoratit, në mënyrë që votimet të shpallen të vlefshme. Anketat tregojnë se zoti Medvedev do të fitojë pa problem në raundin e parë.

Moskoviti Andrei Borodin ka në plan të votojë për të: "Të gjithë e kuptojnë se Dimitri Medvedev është pasardhësi i Presidentit Putin. Jam shumë i kënaqur me politikat e këtij presidenti, të cilat i shikoj si garanci e rendit dhe e një lloj trajtimi të barabartë të shumicës së qytetarëve". Votimet e 2 marsit zhvillohen 8 muaj para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Në janar të vitit të ardhshëm të dy vendet do të kenë udhëheqës të rinj, të cilët do ta kenë siguruar zyrën e Presidentit në mënyra krejt të ndryshme. Por sipas presidentit aktual Vladimir Putin, do të jetë në interes të të këtyre vendeve që udhëheqësit e tyre të bashkëpunojnë. //rd//

XS
SM
MD
LG