Lidhje

SHBA: Tregtia e lirë në debatin e kandidatëve demokratë


Tregtia e lirë është shndërruar në një nga temat kryesore në fushatën presidenciale gjatë javëve të fundit, veçanërisht në debatin e ndezur që ka shoqëruar garën për emërimin e Partisë Demokrate. Ndërkohë që mijëra vende pune të sektorit prodhues janë mbyllur në shtetin Ohajo, kandidatët demokratë kanë ngritur idenë e rishikimit të Marrëveshjes së Amerikës së Veriut për Tregti të Lirë. Të dy kandidatët e konsiderojnë çështjen e tregtisë së lirë si çelësin për të marrë votat e zgjedhësve në Ohajo:

Situata e vështirë për punëtorët në Ohajo doli në qendër të vëmendjes në fushatën presidenciale gjatë javëve të fundit. Vendet e punës në sektorin e prodhimit, që janë mbyllur gjatë dekadës së fundit numërohen në afro 250 mijë, sipas disa statistikave.

Ndërkohë që përkrahësit përpiqen të mobilizojnë votuesit, dy kandidatët e Partisë Demokrate, Senatorët Klinton dhe Obama i përqëndruan komentet në çështjen e tregtisë në debatin e Ohios. Të dy ata ngritën idenë për një ultimatum ndaj partnerëve në Marrëveshjen e Amerikës së Veriut për Tregti të Lirë, të njohur shkurt si NAFTA. "T’u themi Kanadasë dhe Meksikës se ne do të tërhiqemi nga marrëveshja, nëse nuk ri-negociohen standartet për krahun bazë të punës dhe mjedisin," thotë zonja Klinton.

"Mendoj se duhet të përdorim opsionin për t’u tërhequr nga marrëveshja si mundësi për të ushtruar presion që të zbatohen standartet për krahun e punës dhe mbrojtjen e mjedisit," thotë Senatori Obama.

I shoqi i Senatores Klinton, ish-Presidenti Bill Klinton ishte partizan i marrëveshjes për tregti të lirë një dekadë më parë, për të lehtësuar transaksionet tregtare mes këtyre 3 vendeve. Por punëtorët dhe sindikatat në Ohajo thonë se marrëveshja NAFTA u ka dhënë mundësi korporatave të transferojnë pa problem vendet e punës në Meksikë, ku pagat janë shumë më të ulëta.

Erin Sullivan Lally shkon derë më derë në këtë lagje në qytetin Klivland të Ohios, me banorë të klasës së mesme, për të tërhequr votues për Senatoren Klinton: "Njerëzit këtu, shpjegon ajo, fajësojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë për humbjen e vendeve të punës. Klasa e mesme po tkurret pasi po mbyllen vende pune. Nëse nuk ke punë, shpesh arsyeja është transferimi i këtyre vendeve të punës në vende të tjera."

Megjithëse ekonomisti Rob Skot punon për Institutin për Politika Ekonomike, që mbështetet nga sindikatat, ai thotë se nuk mund të fajësojë vetëm marrëveshjen NAFTA për humbjen e vendeve të punës në Ohajo: "Kjo marrëveshje është përgjegjëse për humbjen e disa prej vendeve të punës."

Zoti Skot shpjegon se vetëm një ndër katër vende pune në Ohio janë mbyllur për t’u transferuar në Meksikë. Por pjesa më e madhe e vendeve të punës janë transferuar në vende të tjera që përdorin të njëjtin model tregtie si marrëveshja e Amerikës së Veriut.

Presidenti Bush iu kundërvu kritikave të kandidatëve demokratë, duke thënë se marrëveshja NAFTA ka gjeneruar miliarda dollarë në eksporte çdo vit. "Mallra me vlerë 380 miliardë dollarë. Kjo nënkupton se një numër i madh fermerësh dhe biznesesh të vogla e të mëdha po përfitojnë nga hapja e tregut në vendet fqinje," thotë Presidenti.

Në një qendër kualifikimi në jug të qytetit Klivland, punëtorët mësojnë për procese prodhimi të mbikqyrura nga kompiutera, të cilat shihen nga shumë përkrahës të tregtisë së lirë, si e ardhmja e sektorit prodhues në Shtetet e Bashkuara. Matt Gannon përpiqet të marrë aftësi të reja pune, dhe thotë se ka plot vende pune. Nëse do të rrish në shtëpi dhe të qahesh se nuk ka punë, mund të rrish, thotë ai. Por faktikisht ka vende pune plot, vetëm angazhohu.

Ohajo njofton se ka vende të reja pune në prodhim çdo vit, por ato paguajnë rreth 16 dollarë në orë, pra gjysma e rrogës që ofronin punët e mëparshme. Ekonomisti Rob Skot thotë se amerikanët konkurojnë me punëtorë meksikanë, të cilët pranojnë pagesë prej 1 apo 2 dollarë në orë dhe punëtorë aziatikë në Kinë e gjetkë që paguahen edhe më pak.

Në këtë periudhë vështirësish, punëtorët në Ohajo dhe udhëheqësit e sindikatave thonë se kërkojnë një president, që do të garantonte se marrëveshjet e tregtisë së lirë i shërbejnë të mirës së punëtorit amerikan po aq sa u shërbejnë edhe banorëve të vendeve në zhvillim. //ad//

XS
SM
MD
LG