Lidhje

Kosova: Sfidat për ndërtimin e shtetit më të ri në Evropë


Komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të qendrojë i angazhuar në Kosovë deri sa Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, thotë Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikën e Mbrojtjes në Korporatën RAND.

Zëri i Amerikës: Zoti Dobins, një shtet i ri është krijuar tashmë në Evropë, dhe më saktë në Ballkan, Kosova, me një pavarësi të mbikqyruar për momentin. A mund ta konsiderojmë këtë mbikqyrje si një mision për ndërtimin e shtetit?

Xhejms Dobins: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, janë angazhuar në ndërtimin e shteteve në Ballkan për më shumë se një dekadë. Kosova është shteti i pavarur më i ri që del nga ish Jugosllavia dhe le të shpresojmë që të jetë i fundit. Ky ka qënë një projekt i përbashkët nga një numër vendesh për të vendosur paqen, për të nxitur zhvillimin, dhe eventualisht partneritetin në Bashkimin Evropian dhe NATO për të gjitha shoqëritë e ish Jugosllavisë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga sfidat që ndesh perëndimi në misionin e tij për ndërtimin e shtetit të Kosovës?

Xhejms Dobins: Mendoj se ende mungon pajtimi i mjaftueshëm mes serbëve dhe popullatës shqiptare që jeton në Kosovë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë bërë përpjekje të shumta për ta nxitur pajtimin, por nuk kanë patur shumë sukses, pjesërisht pasi qeveria e Beogradit ka bërë çdo përpjekje për të mos e lejuar pajtimin e këtyre dy komuniteteve në Kosovë, duke u bërë thirrje udhëheqësve serbë që të mos marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë përpjekjet për ta nxitur pajtimin dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të pakicave në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Dhe cilat janë disa nga sfidat që Kosova dhe veçanërisht udhëheqësit e saj kanë përballë?

Xhejms Dobins: Ndoshta sfida më e madhe është mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia, niveli i ulët i investimeve, sigurimi i pronësisë dhe çështje të tjera që i kufizojnë investimet. Pavarësia i ka krijuar kushte Kosovës që të zgjidhë disa nga këto probleme. Atje do të ketë më shumë siguri për të ardhmen dhe veçanërisht nëse qeveria e Kosovës ndjek politika të zgjuara ekonomike, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investimet dhe do të krijohen kushte më të mira që ajo të hyjë në rrugën e zhvillimit. Mendoj se çështjet ekonomike duhet të jenë përparësitë kryesore të qeverisë së re të Kosovës. Megjithëse ekonomia është sfida kryesore, axhenda politike dhe në veçanti trajtimi i pakicave do të jetë një çështje parësore jo vetëm për komunitetin ndërkombëtar, por edhe për qeverinë e Kosovës, dhe do të kërkojnë nga kjo e fundit të vazhdojë të tregohet e matur dhe të respektojë të drejtat e pakicave.

Zëri i Amerikës: Çfarë kosto dhe kohëzgjatje do të kishte ky mision në Kosovë?

Xhejms Dobins: Mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojnë të jetë tejet i angazhuar në Kosovë deri sa të dy ato vende, Kosova dhe Serbia, të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, dhe kjo ndoshta do të ndodhë 10 vjet më vonë. Patjetër që ky është një angazhim afat-gjatë. Konfiguracioni institucional mund të ndryshojë, si për shembull në Bosnje ku NATO-ja është larguar dhe Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i pranishëm me mision paqeruajtës. Në Kosovë kemi kalimin nga roli dominues i Kombeve të Bashkuara në një rol më dominues nga Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin e tyre në Kosovë për një dekadë ose më shumë.

Zëri i Amerikës: Rusia po paraqitet tani si shpëtimtarja e Serbisë. A është kjo tendencë për një rikthim të Rusisë në Ballkan?

Xhejms Dobins: Sigurisht që kjo përfaqëson dëshirën e Rusisë që të ruajë një farë ndikimi në Ballkan. Përsa i përket pozitës së Rusisë kjo është e kufizuar dhe nuk i ofron asaj ndonjë shtrirje të madhe në rajonin e Ballkanit, pasi ajo nuk ka marrëdhënie aq të mira me shumicën e vendeve të tjera të rajonit. Për sa i përket Serbisë, Rusia përbën një potencial të kufizuar, për të ofruar përfitime të kënaqëshme politike dhe ekonomike në krahasim me pjesën tjetër të Evropës dhe komunitetin atlantik. Nga pozitat e të dy palëve është një partneritet që ofron përfitime të kufizuara.

Zëri i Amerikës: Disa analistë janë të mendimit se Rusia po e dëmton më tepër se sa po e ndihmon Serbinë në situatën e sotme? Cila është pikpamja juaj për politikën e Rusisë në këtë aspekt?

Xhejms Dobins: Mendoj se Rusia do ta kishte ndihmuar Serbinë po t’i kishte dhënë këshilla më të mira për të negociuar marrëveshjen me përfitimet më të mira të mundëshme me komunitetin ndërkombëtar, të atillë që Serbia ta pranonte atë. Kjo do të kishte qënë në interesin e Serbisë dhe do të kishte demonstruar një rol më konstruktiv nga ana e Rusisë. Këshillat dhe mbështetja që Rusia i ka dhënë Serbisë e kanë shtyrë këtë të fundit në një rrugë pa krye, që për fat të keq do të vazhdojë për një farë kohe.

Zëri i Amerikës: Në deklaratën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkura dhe partnerët e tyre në frymën e aleancave të mëparëshme. Duke e parë çështjen në perspektivën globale, çfarë është në interesin më të mirë të Serbisë për sot dhe për një të ardhme të parashikueshme në raport me perëndimin?

Xhejms Dobins: Mendoj se e ardhmja e Serbisë është me perëndimin, me vende të tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Kjo nuk do të thotë që ajo të mos ketë marrëdhënie të mira me Rusinë. Por Serbia do të përfitonte shumë pak po të qendronte mënjanë dhe të mos zhvillonte marrëdhëniet dhe ekonominë e saj me vende të tjera të rajonit. Është e qartë se pasionet janë të ndezura sot në Serbi, nacionalizmi vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme, më e rëndësishme se në shumicën e vende të tjera. Do të jetë e vështrirë për Serbinë t’i përshtatet situatës së re të krijuar me pavarësinë e Kosovës dhe nuk pres që kjo të ndodhë brenda një kohe të shkurtër. Por sa më shpejt që ajo ta bëjë këtë, aq më shpejt ajo do të dalë në arenën Evropiane si një shoqëri moderne dhe e begatë.

Zëri i Amerikës: Le të supozojmë se Serbia vendos ta njohë pavarësinë e Kosovës. Çfarë përfitimesh do të kishte ajo dhe gjithë rajoni i Ballkanit?

Xhejms Dobins: Nuk e di në se njohja e pavarësisë së Kosovë nga Serbia është tashmë esenciale. Esenciale është që Serbia të ndërpesë minimin e procesit dhe të komplikojë përpjekjet e të tjerëve. Një opozitë më e qetë dhe më e rezervuar do t’i kishte shërbyer shumë më mirë Serbisë, se sa reagimet dhe veprimet e papërgjegjëshme që kanë karakterizuar sjelljen e saj gjatë ditëve të fundit. Sado të kuptueshme që të jenë ato për sa i përket pasioneve të ndezura, ato janë të papranueshme. Megjithatë, është e qartë se si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe pjesa tjetër e Evropës janë të gatshme ta mirëpresin Serbinë në partneritet për ta ndihmuar ekonomikisht. Pas një farë kohe, Serbia duhet ta lërë pas të kaluarën dhe të pranojë këto oferta bashkëpunimi dhe miqësie. //iç//

XS
SM
MD
LG