Lidhje

Samarxhiç: Nuk kam kërkuar ndarje tokësore të Kosovës


Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhic, tha të hënën se propozimi i tij për ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve nuk nënkupton ndarjen e tërësisë tokësore të Kosovës. Zoti Samarxhic, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë tha se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë do të mbahen edhe në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, duke nxitur reagime të udhëheqësve politikë shqiptarë.

Ministri Samarxhiç i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në disa zona të banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë gjatë së cilës tha se qeveria e tij do të financojë të gjithë punonjësit e deritashëm serbë të cilët janë larguar nga institucionet e vetëqeverisjes në Kosovë. Largimi i tyre tha ai është qëndrim zyrtar i Beogradit pas 17 shkurtit kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Mbi 300 pjesëtarë të policisë dhe punonjës të administratës në Kosovë kanë lëshuar vendet e tyre të punës në shenjë pakënaqësie me shpalljen e pavarësisë. Ministri Samarxhiç, nxiti reagime të shumta të institucioneve vendase e ndërkombëtare, por edhe të një pjese të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës me propozimin e tij për ndarje funksionale të serbëve dhe shqiptarëve.

Unë kam folur për ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve që po ndodhë tash 8, 9 vjet. Shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë dhe kjo ka ndodhur pa pajtimin e serbëve dhe serbët duhet të punojnë me institucionet e veta dhe kjo është ajo ndarja funksionale që ka të bëjë me të gjithë serbët e Kosovës. Nuk ka ndarje tokësore të Kosovës dhe për këtë nuk ka folur askush dhe nuk do të flasë”, tha ministri serb, sipas të cilit zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë që do të mbahen më 11 maj, do të organizohen edhe në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.

Kosova dhe zgjedhjet e Serbisë

A do të mbahen apo jo këto zgjedhje, ende nuk ka një vendim zyrtar nga Misioni I Kombeve të Bashkuara zyrtarët e të cilit thonë se kjo do të varet nga vendimi që do të merret në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Në favor të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve është shprehur edhe Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Olli Rehn.

Autoritetet vendase ndërkaq kundërshtojnë mundësinë e organizimit të këtyre zgjedhjeve. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha të hënën se propozimi i zotit Martti Ahtisaari, i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës, u lejon serbëve të drejtën e dyshtetësisë, por kjo, nuk nënkupton që Serbia të ndërhyjë në zgjedhjen e institucioneve lokale në Kosovë.

Kosova nuk mund të shërbejë si bazë elektorale për askënd, por vetëm për veten. Se a do të kenë qasjen qytetarët serbë që të votojnë për të preferuarit e tyre për të ndërtuar strukturën e pushtetit në Serbi është diçka tjetër, në kuptimin e respektimit të parimit të dyshtetësisë, por jo si bazë elektorale, jo si strukturë që do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve serbe në Kosovë. Absolutisht jo", tha presidenti Sejdiu.

Deri tash të gjitha zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur edhe në zonat e banuara me serbë në Kosovë me gjithë mospajtimin e institucioneve vendase. UNMIK-u deri tash ka mbajtur qëndrimin se as nuk i mbështetë por as nuk i pengon zgjedhjet e tilla. (ze)

XS
SM
MD
LG