Lidhje

Presidenti Bush: NATO të vazhdojë zgjerimin drejt lindjes


Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush theksoi rëndësinë e suksesit të misionit të NATO-s në Afganistan, para takimit të aleancës në Bukuresht. Duke folur pas bisedimeve me presidentin romun Traian Basesku në vednbanimin e tij në Detin e Zi, zoti Bush shprehu kënaqësinë e tij me premtimet e bëra nga Franca dhe vende të tjera të aleancës për dërgimin e trupave të tjerë në Afganistan. Zoti Basesku e mbështeti presidentin Bush duke vënë në dukje se çdo dështim i NATO-s do t’a dobësonte aleancën. Presidenti Bush i bëri thirrje NATO-s që në takimin që fillon sot të ftojë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë dhe t’u hapë rrugën drejt anëtarësimit Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Presidenti Bush bëri thirrje përsëri për zgjerimin e aleancës së NATO-s dhe u kërkoi vendeve anëtare të lejojnë Ukrainën dhe Gjeorgjinë të fillojnë procesin e pranimit në aleancë, pavarësisht nga kundërshtimet e Rusisë. Ai tha gjithashtu se aleanca ndodhet para vendimeve historike dhe duhet t’u hapë dyert të gjitha demokracive evropiane.

“Nesër NATO-ja do të marrë një vendim historik për pranimin e tre vendeve Ballkanike – Krocisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm ftesën për këto tre vende për t’u anëtarësuar në NATO. Këto vende kanë kaluar nëpër rrugën e vështirë të reformave dhe kanë ndërtuar shoqëri të lira. Ata janë të gatshëm të kontribuojnë në NATO, dhe qytetarët e tyre e meritojnë sigurinë që sjell kjo aleancë. Ndërsa i urojmë mirëseardhjen aleatëve të rinj të NATO-s, ne ritheksojmë se mundësia e anëtarësimit në aleancë duhet të mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të na bashkohen si nga Ballkani, ashtu edhe përtej tij.”

Duke folur para takimit të NATO-s në Bukuresht, zoti Bush tha se Franca dhe Gjermania, të cilat kanë shprehur rezerva për fillimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë nga frika se kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet me Moskën dhe furnizimet e energjisë, nuk duhet të shqetësohen, meqenëse zgjerimi i NATO-s nuk përbën kërcënim për Rusinë.

“Këtu në Bukuresht, ne duhet ta bëjmë të qartë se NATO-ja i mirëpret aspiratat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në aleancë dhe u ofron atyre një rrugë të qartë për ta përmbushur këtë synim.”

Fjalimi para takimit i dha mundësi Presidentit Bush të parashtronte përparësitë e tij në programin e NATO-s dhe qëndrimin amerikan për secilën nga çështjet që do të diskutohen.

Zoti Bush u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të shtojnë kontributin me trupa në operacionet ushtarake në Afganistan, ku ekziston frika se forcat ekstremiste talebane dhe të Al-Kaidës po ripërtërihen.

Presidenti Bush tha gjithashtu se ai mbetet i përkushtuar ndaj planit amerikan për vendosjen e sistemit mbrojtës nga raketat në Poloni dhe Çeki si mburojë kritike ndaj kërcënimeve nga shtete të tilla si Irani.

“Ne po punojmë me NATO-n për të krijuar sisteme që na mbrojnë nga sulmet me rreze të shkurtër dhe të mesme nga Lindja e Mesme.”

Ai përsëriti qëndrimin e tij se ky projekt nuk ka të bëjë me Rusinë.

“Ne ftojmë Rusinë të bashkohet me ne në këto përpjekje, në mënyrë që të mund të mbrojmë Rusinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara nga kërcënime që mund të na prekin të gjithëve.”

Presidenti Bush do të takohet këtë javë me presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka hedhur dyshime mbi nevojën e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropë. //bsa//

XS
SM
MD
LG