Lidhje

Shqipëri: Rritet inflacioni dhe çmimet e konsumit


Në Shqipëri, inflacioni shënoi një tjetër rritje të ndjeshme gjatë muajit mars. Sipas institutit të statistikave indeksi i çmimeve të konsumit kapi nivelin 4.6 përqind, një prej kufijve më të lartë të regjistruar në vitet e fundit e duke kapërcyer edhe objektivin maksimal të Bankës së Shqipërisë prej 4 përqind. Ndikimin kryesor në këtë kapërcim e ka patur zbatimi në muajin mars i tarifave të reja të energjisë elektrike.

Për të dytin muaj radhazi jeta e shqiptarëve është shtrenjtuar më tej. Gjatë marsit, indeksi i çmimeve të konsumit arriti kufijtë më të lartë të regjistruar ndonjëherë - 4.6 përqind kundrejt 3.6 përqind të muajit shkurt.

Në një kohë kur artikujt ushqimorë, të cilët ndikuan në kapërcimin e nivelit muajin e shkuar, ruajtën tendencën e rritjes, gjatë marsit, ashtu siç edhe parashikohej, ishin çmimi i ri i energjisë elektrike dhe çmimet e karburanteve faktori kryesor duke influencuar të vetëm me 0,6 përqind në totalin e ndryshimit mujor.

Çmimi i energjisë elektrike në muajin mars shënoi nje rritje prej 23.7 përqind. Indeksi i grupit “qera, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 3.8 përqind. Por edhe grupi ushqime dhe pije jo alokoolike u rrit. Në total ai regjistroi një ndryshim me 0,7 përqind më tepër, por artikuj të ndryshëm brenda këtij grupi e kryesisht frutat shënuan rritje të ndjeshme me një mesatare prej 4.8 përqindësh. Po kështu edhe zarzavatet ku ndryshimi shkoi deri në mbi 31 përqind për lulelakrën, mbi 24 përqind për domaten e mbi 10 përqind për kastravecat.

Gjatë 12 muajve të fundit kjo është hera e dytë që inflacioni pëson një kapërcim të tillë. Vitin e shkuar ishin periudha e fund verës dhe fillimit të vjeshtës që u karakterizuan nga rritje të indeksit të çmimeve të konsumit mbi kufirin maksimal të vënë si objektiv prej 4 përqind nga Banka e Shqipërisë.

Shtatori shënoi edhe pikun duke arritur në 4.4 përqind. Por inflacioni i marsit e kaloi edhe këtë nivel. Madje ekspertë të ndryshëm vlerësojnë se edhe muajt e ardhshëm mund të shënojnë të njëjtën prirje.

Sipas tyre rritja e tarifave të energjisë do të nisë të shtrijë efektin edhe në koston e prodhimit e për pasojë do të sjellë një rritje të çmimeve të artikujve të tjerë.

Një situatë e tillë do ta detyronte Bankën e Shqipërisë të ndërhynte sërish për të rritur normën e interesit si masë parandaluese për të frenuar një inflacion në rritje. Vitin e kaluar ajo u detyrua të ndërhynte tre herë duke rritur në total me 0.75 pikë interesin. Ishin këto masa të cilat bënë që inflacioni mesatar vjetor të ndalej në shifrat e 2.9 përqindshit. //ii

XS
SM
MD
LG