Lidhje

Shtetet e dështuara dhe masat parandaluese


Njësia policore e Nablusit po mbyll një rrugë në qendër të këtij qyteti, i cili është bazë e fortë e militantëve dhe bandave kriminale në Bregun Perëndimor. Deri kohët e fundit, policia palestineze rrallë shihej në këto rrugë. Por gjërat po ndryshojnë.

Qeveria palestineze e presidentit Mahmud Abas po përdor ndihmat financiare të Shteteve të Bashkuara dhe donatorëve të tjerë ndërkombëtarë për të dërguar 500 policë të rinj të stërvitur në Nablus. Samar Abdo udhëheq njësinë policore e specializuar për eksplozivët.

“Tani militantët po ndjejnë rrezikun e rikthimit të forcave të sigurisë, të cilat po bëjnë punën e tyre me rigorozitet në teren. Tani militantët po përpiqen të bëhen miq dhe nëse kjo nuk ndodh ata do të arrestohen e dënohen me burg.”

Paulin Bejker është presidente e organizatës joqeveritare Fondi për Paqe, e cila publikon çdo vit Indeksin e Shteteve të Dështuara, që analizon si shkaqet edhe zgjidhjet e mundshme për vendet në krizë. Zonja Bejker thotë se përpjekjet e ngjashme me atë të Nablusit mund të sigurojnë stabilitetin e duhur.

“Nëse do të kishim ndërhyrë në disa prej këtyre shteteve, jo medoemos ushtarakisht, por përmes diplomacisë, ekonomisë, dhe veçanërisht po të kishin nxitur zbatimin e ligjit, shumë nga këto shtete do të kishin shmangur zhytjen në konflikt.”

Ushtria australiane ndërhyri kohët e fundit për të qetësuar dhunën në Timorin Lindor. Xhein Holl Ljut është zyrtare e lartë Kombeve të Bashkuara e angazhuar në aktivitete paqeruajtëse. Ajo thotë se nganjëherë duhen forca të huaja për të ndarë forcat e brendshme armike.

“Ngandonjëherë, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë në krijimin e kushteve që njerëzit dhe udhëheqësit që kanë qenë të përfshirë në mosmarrëveshje shumë serioze, të cilat kanë shkaktuar nivel të lartë dhune dhe shkatërrimi, të tërhiqen nga këto veprime.”

Ndihma ekonomike po përdoret për t’i punësuar njerëzit në Kosovë, një shtet i ri i pavarur që ende po përpiqet të marrë veten pas disa vitesh konflikti. Në fabrikën “Solid Shoe” Kombet e Bashkuara mbështesin programe trainimi për punëtorë si Selvete Kokollari.

“Jeta ime është bërë më e mirë falë këtij programi” thotë ajo.

Anëtari i kongresit amerikan, Adam Smith thotë se projekte si ky ndihmojnë në një prej kërcënimeve më të mëdha të botës, pabarazia mes vendeve të pasura dhe atyre të varfëra.

“Në botë tani ka 2,7 miliardë njerëz që jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Ёshtë e pamoralshme të kesh një ndarje kaq të thellë mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë.”

Megjithatë, në një shtet shumë të dobët si Zimbabveja, komuniteti ndërkombëtar nuk e përkrah qeverinë. Mungesat ushqimore kanë çuar në shpërthimin e dhunës nëpër rrugë. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më shumë se tre milion dollarë ndihma ushqimore në Zimbabve. Por ato kanë vënë edhe sanksione ekonomike ndaj Zimbabvesë për mospërfilljen ndaj të drejtave të njeriut, zbatimit të ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve. Në vende si Zimbabveja, komuniteti ndërkombëtar shpesh vendos se nuk mund të bëjë shumë. //ib//

XS
SM
MD
LG