Lidhje

Analisti Sokor:Tubacionet e naftës dhe të gazit konsolidojnë pozitën e Rusisë


Vladimir Sokor, analist për energjinë, i cili jeton në Gjermani, tha të hënën në një takim në Uashington, se tubacionet e reja të naftës dhe gazit, do të konsolidojnë më tej pozitën e Rusisë, si një nga furnizuesit kryesorë me energji të Evropës Perëndimore.

Zoti Vladimir Sokor tha se ndërtimi i tubacioneve të naftës dhe të gazit në Ballkan, një projekt që mbështetet nga Rusia, do ta shtojë varësinë e Perëndimit tek energjia ruse. Naftësjellësi që do të lidhë Bullgarinë me Greqinë, tha analisti, është një sukses i rëndësishëm për Rusinë, pasi ai do të jenë tubacioni i vetëm i kontrolluar nga rusët brenda Bashkimit Evropian. Marrëveshja për këtë tubacion u arrit vitin e kaluar dhe pritet së shpejti të fillojë ndërtimi i tij.

Zoti Sokor tha në një takim në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington, se Moska shpreson që të ketë një sukses të ngjashëm edhe për transportimin e gazit natyror. Plani i Rusisë, tha ai, është të ndërtojë Tubacionin e Jugut nën Detin e Zi, i cili të kalojë nga Bullgaria për në Evropën Perëndimore. Zoti Sokor tha se propozimi alternativ i Bashkimit Evropian, që rivalizon me Rusinë, për ndërtimin e një linje gazi nga Azia Qendrore, të quajtur Nabuko, po humbet mbështetetjen.

“Në kushtet kur perpektiva e ndërtimit të Nabukos po pakësohet, Turqia, ashtu sikurse Austria, Hungaria dhe Bullgaria, po humbin besimin tek ndërtimi i Nabukos dhe po zgjedhin alternativën e vetme të dukshme për ta, që është Tubacioni i Jugut”, - tha zoti Sokor.

Zoti Sokor tha se Tubacioni Nabuko, që synon të transportojë kryesisht gaz të Turkmenistanit përmes Turqisë për në vendet ballkanike, do të ndërtohet, vetëm në se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i japin këtij projekti një mbështetje të madhe. Zoti Sokor tha se përmes tubacioneve, Rusia po fiton kontroll mbi eksportin e naftës dhe të gazit nga ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

"Rusia po i kombinon, në këtë mënyrë, rezervat e gazit të Azisë Qendrore me rezervat e veta, duke i vendosur ato të gjitha nën kontrollin tregëtar dhe fizik të Rusisë. Kjo është nafta dhe gazi që furnizon Rusinë dhe Evropën”, - tha ai.

Turkmenistani është eksportuesi kryesor i Azisë Qendrore me gaz dhe Kazakistani është eksportuesi më i madh i naftës. Për të përballuar, atë që ai e sheh si një varësi të rrezikshme të Evropës nga energjia ruse, zoti Sokor mbështet idenë e dialogut me Iranin. Kjo thotë ai, mund të bëjë që gazi nga Irani të dërgohet në tubacionin e Nabukos. Por një dialog i tillë me Teheranin kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG