Shtëpia e Bardhë thotë se Siria ishte duke ndërtuar fshehtazi një reaktor bërthamor me ndihmën e Koresë së Veriut, të pajisur për të prodhuar plutonium. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë dhe fotografi të zbulimit të publikuara si rrallë herë më parë, pasuan një seancë informimi për anëtarët e Kongresit rreth veprimtarisë së ndaluar bërthamore të Sirisë, siç e përshkuran atë Shtëpia e Bardhë.
Duke e cilësuar këtë si një çështje tepër shqetësuese ndërkombëtare, Shtëpia e Bardhë tha se Koreja e Veriut e ka ndihmuar Sirinë të projektojë dhe ndërtojë reaktorin, që ajo thotë se ndoshta u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga një sulm ajror izraelit shtatorin e kaluar.
"Ne kemi shumë arsye të besojmë” thuhet më tej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, “se reaktori nuk u ndërtua për qëllime paqësore, ishte kamufluar mirë që të mos binte në sy dhe qeveria e Sirisë morin masa të shpejta për të fshehur gjurmët e ekzistencës së tij pas sulmit izraelit”, në një përpjekje të për të mbuluar gjithëçka, siç shprehet deklarata e Shtëpisë së Bardhë.
Në të thuhet se Shtetet e Bashkuara po i japin informacionin e zbulimit Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe po i bëjnë thirrje qeverisë së Sirisë të “tregohet e sinqertë me botën” lidhur me aktivitetin e saj të ndaluar bërthamor.
Gjatë gjithë ditës dje, anëtarë të Kongresit amerikan u informuar nga Drejtori i Agjencisë Qendore amerikane të Zbulimt, Majkëll Hajden dhe zyrtarë të tjerë për të dhënat e zbulimit rreth lidhjeve të dyshimta mes Sirisë dhe Koresë së Veriut.
Këto seanca dhe deklarata e Shtëpisë së Bardhë vinë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në negociatat gjashtë palëshe me Korenë e Veriut, synojnë ta bindin Penianin të përmbushë angazhimin e vet për deklarimin e plotë të gjithë aktivitetit të tij bërthamor, duke përfshirë edhe përhapjen e armëve.
Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Xha'afari, hodhi dje poshtë kategorikisht çdo lloj bashkëpunimi mes vendit të tij dhe Koresë së Veriut.
"Ne e kemi thënë shumë herë në të kaluarën se nuk ka patur asnjë lloj bashkëpunimi mes Sirisë dhe Koresë së Veriut. Ne i hedhim poshtë këto thashesheme. Kjo është çfarë mund të them lidhur me këtë çështje”.
Dje pasdite, Shtëpia e Bardhë hodhi një hap të pazakontë duke publikur pamje të marra nga seteliti dhe me kamera, imazhe të asaj që Shtetet e Bashkuara thonë se janë të objektit që u godit nga sulmi ajror izraelit.
Imazhet tregojnë një ndërtesë pothuajse të ndërtuar në gusht të vitit 2007, që analistët e zbulimit dhe ekspertë të tjerë e përshkruajnë si një godinë të ngjashme me raktorin e plutoniumit në Jongbjon të Koresë së Veriut, që kjo e fundit ra dakord ta mbyllë në kuadrin e kapërcimit të ngecjes lidhur me programin e saj bërthamor. Pamjet përfshijnë edhe imazhe satelitore pas sulmit ajror izraelit, të cilat tregojnë pastrimin e rënojave të objektit nga Siria.
Dje më herët, ligjvënësit e Kongresit shprehën indinjatë për vonesën e administratës së Presidentit Bush për të informuar Kongresin.
Ligjvënësi demokrat Geri Akerman, i cili kryeson nënkomisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Lindjen e Mesme, akuzoi administratën se e ka nxjerrë informacionin para se të informojë ligjvënësit.
"Para se ndonjë nga ne të informohej dhe madje para kësaj seance, ky lajm u botua nga gazetat kryesore të vendit sot, në bazë të informacionit të përzgjedhur që administrata vendosi ta nxirrte, më parë se sa ta shikonin anëtarët e Kongresit dhe kryetarët e komisioneve”.
Kësaj indinjate i bëri jehonë edhe ligjvënësi tjetër demokrat Silvestër Rejs, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe anëtari republikan e këtij komisioni, Pit Hoekstra. Zoti Hoekstra tha se administrata nuk ka paraqitur arsye bindëse për shtyrjen e senacave dëgjimore në Kongres, por bëri këtë koment pas informacionit që dëgjoi në seancën e djeshme.
"Kjo është një çështje serioze e përhapjes së armëve, si për Lindjen e Mesme ashtu edhe për vendet aziatike që janë implikuar në këtë çështje”.
Deklarata e djeshme e Shtëpisë së Bardhë e cilëson bashkëpunimin e Koresë së Veriut me Sirinë si një manifestim të rrezikshëm të programit të armëve bërthamore të Penianit dhe të aktiviteteve të përhapjes së armëve, dhe shton më tej se ndërtimi i reaktorit sirian ishte një “ndërmarrje e rrezikshme dhe me protencial destabilizues për rajonin dhe gjithë botën”.
Duke iu referuar akuzave të ngritura prej kohësh nga Shtetet e Bashkuara ndaj Sirisë, se ky vend mbështet terrorizmin, Shtëpia e Bardhë e cilëson këtë zhvillim si shprehje tipike të faktit se regjimet që mbështesin përhapjen e armëve, mbështesin gjithashtu terrorizmin dhe nxisin destabilizimin, dhe për më tepër bashkëpunojnë me njeri tjetrin në këtë drejtim.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë hiqen paralele edhe me Iranin, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar ka të drejtë të jetë e shqetësuar për aktivitetet bërthamore të Iranit dhe rreziqet që përbën ai vend për stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Më herët dje, Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Hauard Berman, lëshoi një deklaratë në të cilën shprehet se hollësitë e dhëna për bashkëpunimin e Koresë së Veriut me Sirinë janë shqetësuese, por thotë se nuk është i mendimit se ato përbëjnë bazë për pezullimin e bisedimeve gjashtëpalëshe me Penianin.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët e tyre në kuadrin e negociatave 6-palëshe dhe me Korenë e Veriut për një sistem rigoroz verifikimi për t’u siguruar se një praktikë e tillë dhe aktivitete të tjera bërthamore të mos përsëriten. //iç//