Lidhje

Përkeqësohet kriza ushqimore në botë


Rritja e çmimit të ushqimeve ka shkaktuar protesta në 5 vende afrikane, si dhe në disa vende të tjera të botës. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se çmimi i ushqimeve mund të rritet më tej. Organizatat humanitare shqetësohen për ndikimin që do të ketë kjo në jetën tonë, ndërsa disa ekspertë të antiterrorizmit paralajmërojnë për një shtim të dhunës dhe krijimin e kushteve për rekrutimin e terroristëve.

Zyrtarë të Programit Botëror të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin thonë se të paktën 850 milionë njerëz në mbarë botën janë të uritur. Xhozet Sheran është Drejtoreshë e këtij programi.

“Shifra e të varfëve në botë po rritet me përmasat e një cunami të heshtur, që nuk njeh kufij, madje shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë i ka goditur”.

Në Somali, çmimi i ushqimit kryesor të vendit, sorgum, është dyfishuar që nga muaji shkurt.

Piter Smerdon i Programit Botëror të Ushqimit parashikon se rritja e çmimit të ushqimit të përditshëm do t’i çojë të varfërit deri në dyert e vdekjes.

“Për shkak të rritjes së çmimeve mund të na duhet që të pakësojmë racionet apo numrin e njerëzve që ushqejmë në Somali”.

Banka Botërore thotë se çmimi i grurit është rritur 120 për qind gjatë vitit të fundit. Ministri peruan i Mbrojtjes thotë se vendi i tij tani do të duhet ta bëjë bukën nga patatja.

“Gruri nuk prodhohet në vend, ai importohet dhe tani po kushton çdo ditë e më tepër. Duke e përzjerë miellin e grurit me atë të patates, përpiqemi ta kontrollojmë me sa mundemi çmimin e bukës”.

Ja si u shpreh Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik.

“Të varfërit në Jemen janë duke shpenzuar tani më tepër se çerekun e të ardhurave të tyre vetëm për bukën, para se të paguajnë për ushqimet e nevojshme për fëmijët e tyre, pa përmendur shpenzimet për kujdesin shëndetësor, apo strehimin”.

Në Azi, siç mund të shikoni, ushtria është duke ruajtur një maune, tani tepër të vlefshme. Çmimi i orizit, produkti kryesor ushqimor për vendet aziatike, është trefishuar që nga janari. Në Tajvan ky çmim kapi këtë javë një shifër rekord.

Profesoresha Vanda Felbab-Brown e Universitetit Georgetown thotë se uria rrezikon sigurinë globale.

“Grupe antiamerikane, si Al Qaida do të arrijnë të mobilizojnë popullsinë që ndjen pasiguri dhe që preket direkt nga kriza e ushqimeve”.

Një numër ekspertësh të antiterrorizmit thonë se Al Kaida do të fajësojë vendet perëndimore për mungesën e ushqimeve dhe pastaj do të përdorë teknologjinë moderne për rekrutimin e terroristëve.

Xhejn Lejn është zyrtare e Insitutit të Sigurisë Kombëtare, pranë Universitetit George Washington.

“Njerëzit nuk detyrohen me forcë drej ideologjisë radikale, ata shkojnë drejt rebelimit, pikërisht përmes këtyre rrjeteve sociale”.

Zonja Lejn thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet t’u kundërvihen ideve radikale me zgjidhje afatgjata.

“Kjo nuk është një fushatë amerikane e marrëdhënieve publike dhe as për imazhin amerikan. Ne duhet të ofrojmë vizione, ëndërra dhe shpresa alternative për këta të rinj, që ata të ecin përpara, pra si mund të punojmë që ata të kenë një alternative për të ardhmen, në vend që t’i çojmë ata drejt ekstremizmit”.

Zonja Lejn thotë se kundërvënia ndaj këtyre veprimeve në shkallë botërore duhet të fillojë tani, para thellimit dhe përkeqësimit të krizës. Kombet e Bashkuara parashikojnë se mbi 100 milionë njerëz të tjerë mund të zhyten në gjendjen e urisë dhe kequshqyerjes për shkak të krizës. (ze)

XS
SM
MD
LG