Lidhje

Analistët: Duhet një vizion i ri i rolit amerikan në çështjet botërore


Në qarqet e Uashingtonit po diskutohet gjithnjë e më shumë mbi nevojën për një vizion të ri të rolit udhëheqës amerikan në çështjet botërore. Shumë analistë janë të një mendimi se angazhimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Irak e ka dobësuar ndikimin e tyre si superfuqia e vetme në botë dhe se hartuesit e politikave duhet ta rishikojnë politikën e jashtme për t’u përballur me sfidat dhe mundësitë e shekullit të 21-të.

Analistët bien në përgjithësi dakord se Amerika do të mbetet një superfuqi botërore për një kohë të gjatë. Amerika kanë ushtrinë më të madhe në botë dhe shpenzon më shumë për mbrojtjen sesa 32 vendet më të fuqishme që radhiten pas saj, të marra së bashku. Po ashtu ky vend ka ekonominë më të madhe, dhe ka zërin kryesor në shumë institucione ndërkombëtare financiare dhe në organizata të tjera. Dhe shumë vëzhgues bien dakord se shoqëria, kultura dhe idetë amerikane lënë gjurmë në gjithë botën.

Por shumë anketa të publikut ndërkombëtar tregojnë se pjesa më e madhe e botës ka qenë e pakënaqur me udhëheqjen amerikane në çështjet ndërkombëtare vitet e fundit. Edhe aleatë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur dyshime për disa vendime të politikës së jashtme që Shtetet e Bashkuara kanë marrë që pas 11 shtatorit 2001, sidomos për luftën në Irak. Stephen Kull është Drejtor i Programit të Universitetit të Merilendit për Prirjet e Politikës Ndërkombëtare.

“Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara morën përsipër rolin drejtues për vendosjen e një rendi botëror të mbështetur në ligjin ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare dhe tregjet e hapura. Shtetet e Bashkuara fituan respekt me këtë rrugë. Shtetet e Bashkuara kanë nxitur gjithashtu demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe këto ide janë përhapur gjithashtu. Tani është krijuar ideja se Amerika po heqë dorë nga këto parime”.

Andrew Bacevich është profesor historie dhe marrëdhëniesh ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit.

“Prirja e administratës së Presidentit Bush për të mos gjetur një të mesme, si për shembull qëndrimi ‘ose jeni me ne, ose kundër nesh’, ka bërë që shumë vende të shtrojnë pyetjen nëse është i tolerueshëm një rend botëror, ku Shtetet e Bashkuara janë superfuqia e vetme. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme që ne kemi humbur, që me ndërhyrjen në Irak”.

Profesori Bacevich thotë se lufta në Irak dhe ngjarje të tjera kanë nxjerrë në pah kufizimet e mbizotërimit amerikan jo vetëm nga pikëpamja ushtarake, por edhe ekonomike.

Stephen Walt, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Harvard bie dakord. Ai argumenton për një përdorim më të kujdesshëm të mjeteve amerikane të politikës së jashtme.

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të dobësohen. Ato duhet të përdorin fuqinë e tyre me një dozë vetëpërmbajtjeje, çka do të thotë që të ndjekin me përparësi disa rreziqe dhe jo të merren me secilin prej tyre njëkohësisht. Kjo do të thotë se fuqia amerikane është shumë e vlefshme, por duhet të përdoret për mirë dhe jo të shpërdorohet në kryqëzata të kota”.

Sipas profesorit Walt dhe shumë analistëve të tjerë, Shtetet e Bashkuara kanë shanse që t’u rikthehen përsëri disa praktikave të Luftës së Ftohtë kur krijonte partneritete dhe aleeanca dhe e ushtronte rolin e vet udhëheqës me maturi.

Profesor Bacevich thotë se fuqizimi i Indisë dhe Kinës e ka zhvendosur epiqendrën e gjeopolitikës nga komuniteti Atlantik në Azi. Si rezultat mund të krijohen aleanca të reja shumëpalëshe.

Analistët thonë se shekulli i ri kërkon një udhëheqje të fortë amerikane që konsolidon sigurinë globale, qeverisjen demokratike dhe zhvillimin ekonomik. //iç//

XS
SM
MD
LG