Lidhje

Shtohet pesha e Kinës në botën e biznesit ndërkombëtar


Pesha e Kinës në botën e biznesit ndërkombëtar po shtohet, ndërkohë që fondet dhe ndërmarrjet shtetërore blejnë aksione në kompanitë e mëdha të energjisë dhe të burimeve minerare. Por këto marrëveshje kanë vështirësitë e tyre.

Në Bursën amerikane, qeveria kineze zotëron rreth 10 për qind të kapitalit në bankën amerikane të investimeve, Morgan Stanley. Në Australi, ajo ka aksione në tre bankat më të mëdha të këtij vendi dhe tek kompania gjigande e minierave, Rio Tinto. Gjatë vitit të kaluar, Kina ka shpenzuar shumë para, miliarda dollarë nga rezerva e saj e valutës, për të investuar jashtë vendit.

Në fillim të muajit, një agjenci qeveritare invesimesh bleu aksione në kompaninë British Petroleum. Ajo ka investuar edhe në rivalen franceze të British Petroliumit, në kompaninë Total. Jesse Wang është nënpresident i fondit qeveritar China Investment Corporation, që ka aksione në kompaninë Morgan Stanley dhe në kompaninë private amerikane Blackstone. Ai shpjegon arsyet përse Kina e ka zgjeruar tregun e blerjes së aksioneve jashtë vendit.

"Vlerësimi i monedhës kineze, renminbi, dhe rënia e dollarit do të na shkaktonte më tepër humbje, në se monedha jonë do të mbahej e bllokuar në rezerva valutore që investohen në bono të thesarit amerikan. Pra ajo nuk do të prodhonte të ardhura që të mbulonin forcimin e yuanit dhe rritjen e inflacionit. Prandaj, qeveria kineze vendosi të ketë një institucion të veçantë për menaxhimin e valutës, për të patur një politikë investimesh më agresive, në mënyrë që të sigurohen më tepër fitime".

Investimet e qeverisë kineze jashtë vendit shënuan një rritje prej 6 për qind, ose 18 miliardë dollarë vitin e kaluar, krahasuar me viitn 2006, pa përfshirjen e investimeve nga institucionet financiare. Por këto investime kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim, kryesisht për shkak se shumë kompani e kanë aktivitetin të përqënduar tek burimet e ashtuquajtura jetike, si nafta dhe mineralet.

Kina ka nevojë të madhe për lëndë të parë, për ekonominë e vendit që po rritet me shpejtësi. Në fillim të vitit, kompania shtetërore e qymyrit, Chinalco, u bashkua me firmën amerikane Alcoa, për blerjen e 12 për qind të aksioneve në kompaninë e minierave Rio Tinto.

Shqetësimet politike për Kinën jashtë vendit e kanë zbutur disi strategjinë kineze të investimeve. Në vitin 2005, kundërshtimet në Washington e penguan një përpjekje të një kompanie kineze për blerjen e biznesit amerikan të naftës, Unocal. Tani për tani, investitorët kinezë blejnë sasi të vogla aksionesh, që kërkojnë më pak mbikqyrje dhe janë më pak të ndjeshme politikisht. Por kjo bën që investitorët kinezë të kenë pak kontroll mbi kompanitë ku blejnë aksione.

Jean François Huchet është drejtor i Qendrës Kërkimore Franceze për Kinën bashkëkohore, në Hong Kong. Ai thotë se investitorët kinezë tani po tregohen të kujdesshëm.

"Ata nuk duan të tërheqin shumë vëmendjen. Mendoj, se kur të kenë mundësinë për të vepruar, do ta bëjnë një gjë të tillë, si investitorë aktivë. Në se ata arrijnë të zotërojnë 20-25 për qind të një kompanie, mendoj se do të veprojnë dhe kjo mund të ndodhë më shpejt nga sa shpresojmë, duke patur parasysh nevojën e Kinës për të siguruar naftë".

Investitorët kinezë nuk kanë qenë përherë të sukeshsëm. Korporata e investimeve ka pësuar miliona dollarë humbje në të gjitha investimet e saj në Shtete e Bashkuara, për shkak të rënies aktuale të tregut të aksioneve. Nënpresidenti i kompanisë Jesse Wang pranon se kompanitë dhe fondet kineze kanë shumë për të mësuar.

"Ne na mungon përvoja, por në anën tjetër kemi shumë para dhe kjo bëhet shqetësuese, ne duhet të mësojmë nga gabimet tona".

Sfida të tjera janë për shkak të kulturës dhe perceptimeve. Zoti Huchet, i Qendrës Franceze të Kërkimeve, po ashtu shton se praktikat e biznesit të Kinës shpesh nuk funksionojnë jashtë vendit. Por si ekspertët e investimeve ashtu edhe kritikët e Kinës, thonë se me kalimin e kohës, investimet kineze do të bëhen më të suksesshme dhe më të pranueshme. //iç//

XS
SM
MD
LG