Lidhje

Senatori McCain thotë se lufta në Irak do të fitohet deri në 2013


Kandidati republikan John McCain thotë se nëse zgjidhet president, Shtetet e Bashkuara do ta kenë fituar luftën në Irak deri në fund të mandatit të tij të parë në vitin 2013.

Gjatë komenteve të sotme në Columbus të shtetit Ohajo, zoti McCain tha se deri atëherë Iraku do të ketë një demokraci funksionale, megjithëse mund të ketë raste të veçuara dhune.

Ai parashikon se ndikimi i talebanëve në Afganistan do të ketë rënë dhe kreu i al-Kaidës Osama bin Laden do të jetë kapur ose vrarë falë bashkëpunimit të Pakistanit me Shtetet e Bashkuara në drejtim të taktikave të suksesshme kundër kryengritësve në zonat fisnore. Ai hodhi gjithashtu poshtë politikën e polarizuar, që sipas tij mbizotëron në Uashington dhe tha se do t’u kërkojë demokratëve të shërbejnë në administratën e tij.

Po sot, sindikata e punonjësve të çelikut, që ka 600 mijë anëtarë, shprehu mbështetjen për kandidatin demokrat Barack Obama, një ditë pasi ai siguroi përkrahjen e ish-rivalit të tij, John Edwards.//lk

XS
SM
MD
LG