Lidhje

Rekord i ri i naftës - 127,43 dollarë për fuçi


Çmimi i naftës u ngrit përsëri sot në tregun e Nju Jorkut, duke kapur shumën e 127 dollarë e 43 cent për fuçi në parashikimin e çmimeve. Kjo ngritje pason rënien e vlerës së dollarit, kërkesën e madhe për naftë nga Kina dhe parashikimet se çmimi i naftës mund të shkojë në 141 dollarë për fuçi në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Ndërkohë sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, i publikuar dje, ekonomia botërore është në gjendjen më të vështirë nga ç'është parashikuar më parë. OKB-ja thotë se keqësimi i tregut të shtëpive dhe huatë në Shtetet e Bashkuara janë shkaktaret më të mëdha për parashime të zymta.

Konsumatorët amerikanë janë të shqetësuar se çmimet do të rriten më tej tani që fillon sezoni i verës. Disa thonë se janë të dëshpëruar dhe shumë të tjerë po i kërkojnë Kongresit të bëjë diçka menjëherë.

Sa herë që rritet çmimi i naftës – po aq rritet edhe shqetësimi i shumë amerikanëve. Tani që çmimet e naftës kanë arritur mbi 125 dollarë për fuçi, analistët e energjisë thonë se më e keqja nuk ka ardhur akoma.

Tregëtari i naftës Ira Eckstein paralajmëron se do të duhen edhe disa javë para se çmimet e naftës të pasqyrohen te çmimi që paguajnë konsumatorët në benzinatë. "Nuk mendoj se çmimet kanë arritur ende kulmin, kështu që do të shohim shifra edhe më alarmante".

Çmimi i naftës së papërpunuar është pothuajse katëfishuar që nga viti 2001. Disa konsumatorë amerikanë thonë se nëse ligjvënësit nuk veprojnë me shpejtësi, vazhdimi i kësaj gjendjeje do të dobësojë më tej ekonominë dhe do të rezultojë në çmime më të larta për pothuajse çdo gjë.

Këtë javë, ligjvënësit nuk përfillën dëshirën e presidentit Bush dhe votuan për të ndalur rimbushjen e rezervave strategjike kombëtare të naftës derisa çmimet të fillojnë të zbresin. Disa konsumatorë thonë se nuk mund të presin aq gjatë. Caroline Saunders lë pa ngrënë mëngjesin për të paguar benzinën. "E kam shkurtuar një vakt çdo ditë. Pi kafe falas në zyrë por mëngjes nuk ha".

Një shenjë tjetër që tregon rritjen e dëshpërimit - në shtetin Connecticut, konsumatorët pritën në radhë që zgjatej 1 kilometër e gjysmë për të mbushur makinat me çmimin 26 cent për litër, pjesë e një reklame që u dha në radio. "Është shumë të harxhosh 50 dollarë në javë në mos më shumë për benzinë. Të shkund xhepat", thotë një konsumator.

Ekonomisti Wayne Hochwarter thotë se një arsye tjetër që kongresi duhet të veprojë me shpejtësi është se çmimet e larta të naftës dobësojnë besimin e konsumatorëve. "Nga ana psikologjike, njerëzit fillojnë t’i thonë vetes, po bëj në vend numëro". Ligjvënësit do të zhvillojnë disa seanca javën e ardhshme me krerët e kompanive të naftës për të parë se përse çmimet e benzinës vazhdojnë të jenë të larta dhe çfarë mund të bëhet për të ndihmuar konsumatorët. //rd//

XS
SM
MD
LG