Lidhje

USAID nxit Tiranën të godasë korrupsionin dhe të zbatojë reformat e premtuara


Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kujtuan sot Tiranës zyrtare se sa të rëndësishme janë reformat e premtuara në sistemin zgjedhor dhe atë të drejtësisë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe antarësimit në NATO.

Administratorja e Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar zonja Henrieta Holsman For, tha në Tiranë se qeveria shqiptare duhet të tregojë angazhimin e vet për realizimin e këtyre reformave, dhe të shtojë masat kundër korrupsionit, duke nisur nga heqja e imuniteteve. Ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe antarësimit në NATO, do të jetë e rëndësishme për qeverinë shqiptare që të tregojë angazhimin e vet për të zbatuar reformat zgjedhore dhe ato në fushën gjyqësore - tha zonja For. - Gjithashtu është e nevojshme që në Shqipëri të shtohen përpjekjet kundër korrupsionit, sidomos sa i përket imunitetit të zyrtarëve, si edhe vendosjes së masave më të rrepta qeveritare për shkelësit e ligjit, përmes gjyqeve të drejta dhe të papolitizuara” - theksoi ajo.

Administratorja e USAID-it vizitoi Tiranën për të marrë pjesë në përurimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, një tjetër përpjekje për të rritur transparencën e administratës, shërbimiet ndaj publikut dhe luftën kundër korrupsionit.

Ky është projekti i dytë i madh i kësaj fushe që u financua nga USAID për modernizimin e administratës shqiptare pas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, të dyja me standarde të larta shërbimesh elektronike.

Në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve janë regjistruar 14 mijë biznese dhe kanë marrë shërbim mbi 60 mijë qytetarë. Këtu regjistrohen brenda një dite bizneset e reja ndërkohë që më parë ky proces zgjaste afro 50 ditë me një seri dokumentash. //rd//

XS
SM
MD
LG