Lidhje

Oketa: Marrëveshje çmilitarizimi me Shtetet e Bashkuara


Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Gazmed Oketa i jep fund një vizite pune në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës ai pati takime në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Mbrojtjes. Vizita bëhet ne një kohë kur Shqipëria ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe vendi po vazhdon reformat e duhura të pranimit. Gjatë qëndrimit në Uashington Ministri Oketa nënshkroi një marrëveshje çmilitarizimi me Departamentin e Shtetit.

Zëri i Amerikës: Fillimisht cili ishte thelbi i vizitës së këtyre dy ditëve me zyrtarët amerikanë?

Gazmend Oketa: Në radhë të parë dëshiroj që në emër të qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Mbrojtjes, të forcave të armatosura dhe pse jo edhe në emër të qytetarëve shqiptarë të përcjell edhe një herë falenderimet qeverisë amerikane, presidentit Bush, zyrtarëve amerikanë, forcave të armatosura amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë duke mundësuar realizimin e objektivit madhor për vendin tonë, marrjen e ftesës për anëtarësim në Nato. Marrja e ftesës natyrisht është një hap i cili pasohet nga hapa të tjerë deri në anëtarësimin me të drejta të plota në Nato. Është një vit intensiv gjatë së cilit ne jemi të vendosur të bëjmë më të mirën tonën por natyrisht kërkohet edhe një mbështetje i cili fatmirësisht nuk na mungon nga të gjitha vendet anëtarë të aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mënyrë të veçantë nga SHBA-të.

Zëri i Amerikës: Çështja e çmilitarizimit në Shqipëri që pas Gërdecit ka dalë në plan të parë. Ju nënshkruat dje në Departamentin e Shtetit një marrëveshje pikërisht për këtë çështje. Çfarë nënkupton ajo?

Gazmend Oketa: Është e vërtetë që pas Gërdecit çështja e çmilitarizimit është bërë një çështje tepër sensitive. Ka qënë e tillë edhe më parë, janë ndërmarrë projekte të vazhdueshme edhe për këtë çështje. Tashmë dihet Shqipëria është vendi i parë pa armë të shkatërrimit në masë. Ndër vite janë ndërmarrë projekte të ndryshme për çmilitarizim por natyrisht tragjedia e Gërdecit e solli në plan të parë këtë çështje. Është një sasi e konsiderueshme municioni e shpërndarë kudo në Shqipëri. Kjo marrëveshje pikërisht synon hapjen e rrugës apo më sakt vazhdimin e asaj rruge të nisur në kuadër të disa projekteve për çmilitarizim. Me qeverinë amerikane kemi edhe projekte të tjera. Presim së shpejti të fillojmë në një nga fabrikat o të Gramshit o të Poliçanit çmontimin e disa municioneve dhe pikërisht edhe kjo marrëveshje është në funksion të këtij projekti madhor të cilin ne së shpejti do ta bëjmë publik në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të vendeve të ndryshme nga të cilët presim të kemi mbështetje maksimale.

Zëri i Amerikës: Çfarë mësimesh janë nxjerr pas tragjedisë së Gërdecit në Shqipëri. Pra e kam fjalën a do të vazhdohet të përdoren filma private për çmontimin e municioneve apo do ta marrë këtë përgjegjësi shteti. Gazmend Oketa: Nuk mendoj se fatkeqësia vjen nga fakti se projekti zbatohet nga një firmë private apo shtetërore, vjen nga fakti se sa respektohen kushtet teknike, standartet, të cilat sidomos për anë të tilla të rrezikshme janë një domosdoshmëri. Ajo që do të bëjmë ne në funksion të këtij plani do fillojmë fillimisht me armatimet më të rrezikshme. Do të tentojmë që brenda një afati të shkurtër kohor të minimizojmë rrezikun duke asgjesuar pikërisht ato armatime të cilat përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm dhe personalisht mendoj se cilido kontribut qoftë shtetëror apo privat është i mirëpritur përsa kohë ai respekton standartet dhe të gjitha procedurat e nevojshme. Kështu nuk do të përjashtoja mundësinë e bashkëpunimit me firma serioze, firma të cilat përpara se të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Mbrojtjes qofshin këto private apo shtetërore janë të detyruara të përmbushin disa standarte; të marrin një çertifikatë sigurie dhe një çertifikatë cilësie dhe më pas të mund të vazhdojnë punën e tyre.

Zëri i Amerikës: Si është gjendja e municioneve që janë për tu çaktivizuar sot në Shqipëri. Sa është sasia e tyre dhe ku është ky proces, në çfarë faze?

Gazmend Oketa: Është një sasi e konsiderueshme, afërsisht 98 mijë ton municione të shpërndara fatkeqësisht në shumë zona të Shqipërisë. Brenda javës që vjen në tryezën time do të paraqitet një plan i detajuar me objektivin siç thashë që të fillohet me ato armatime që janë më të rrezikshme. Jam i sigurt se do të kemi mbështetjen e aleatëve të Natos, e vendeve të ndryshme anëtare të Natos, e Shteteve të Bashkuara por nga ana tjetër edhe vetë Ministria e Mbrojtjes duhet të jap shembullin e para duke rialokuar disa fonde që nga buxheti i vitit 2008 për të financuar projekte për demilitarizim dhe duke vijuar më pas në buxhetet e viteve në vazhdim.

Zëri i Amerikës: Gjatë përpjekjeve për tu anëtarësuar në Nato gjithmonë është përmendur ushtria si një ndër institucionet e vendit me reformat më të mira por Gërdeci nxorri në pah disa të meta, disa mangësi dhe një prej tyre ka qënë përplasja që është vënë re midis drejtuesve civilë dhe atyre ushtarakë. Si është gjendja sot në ministrinë që ju drejtoni?

Gazmend Oketa: Është e kuptueshme që pas një tragjedie të tillë të krijohet një situatë disi jo normale e cila besoj se çdo ditë që kalon, çdo ditë duke patur kontakte pune qoftë me personelin ushtarak apo atë civil besoj se ka ndihmuar në kapërcimin e asaj situate dhe në vazhdimin e punës normal në realizimin e atyre detyrave dhe obligimeve që na lindin nga Kushtetuta e vendit dhe ligjet në fuqi. Sfida të mëdha na presin përpara – 11 muaj na ndajnë nga samiti i ardhshëm i Bukureshtit. Kemi marr angazhim që forcat e armatosura shqiptare, Ministria e Mbrojtjes do të përmbush të gjitha ato detyrime që vijnë nga marrja e ftesës për në Nato. Jam i sigurtë se duke bashkëpunuar me ushtarakët shqiptar, me stafin civil, duke u shkrirë si një i tërë pasi në fund të fundit objektivi qoftë i Shtabit të Përgjithshëm, qoftë i forcave të armatosura apo personelit civil të ministrisë është përmbushja e detyrimeve për anëtarësimin me të drejta të plota në Nato. Jam i sigurt se shumë shpejt kjo situatë do të kapërcehet totalisht pasi ka filluar tashmë, gjerat funksionojnë normal dhe besoj se së bashku do ti përmbushim ato obligime. //rd//

XS
SM
MD
LG