Lidhje

Çmimi i naftës ndikon në çdo sferë të jetës


Rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës po ndikon tek gjithçka, duke filluar nga transporti tek bujqësia dhe prodhimi. Në Shtetet e Bashkuara, disa politikanë ia vënë fajin kompanive të mëdha të naftës për problemin, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, ekspertët e energjisë thonë se udhëheqësit kombëtarë duhet të përballen me realitetin e rritjes së kërkesës dhe ofertën e kufizuar.

Kërkesa për naftë po rritet kryesisht për shkak të zgjerimit të ekonomive në Kinë, Indi dhe vende të tjera në zhvillim ku nafta nevojitet për fabrika dhe transport. Në të njëjtën kohë, rritja e klasës së mesme në ato vende ka shtuar kërkesën për automjete.

Por një studim nga Universiteti Rajs në Hjuston tregon se kërkesa është rritur edhe në Shtetet e Bashkuara, e cila shpenzon një të tretën e naftës së botës për transport dhe importon më shumë se gjysmën e asaj që konsumon.

Kenet Medlok është një nga autorët e studimit. “Ne duhet të mbështetemi tek importet sepse nafta me çmim më të ulët nuk gjendet brenda vendit. Nëse përpiqemi të kalojmë në një fazë ku nuk importojmë fare naftë, brenda një kohe të shkurtër, kjo do ta rriste çmimin e naftës tepër dhe ky nuk është rezultati që duan njerëzit.”

Studimi për Politikat amerikane të Energjisë dhe Transportit i zhvilluar nga zoti Medlok dhe kolegia e tij Emi Majers Xhaf bën thirrje për përpjekje në rritjen e prodhimit të energjisë jo vetëm nga nafta, por edhe nga burime të tjera, si era, energjia diellore dhe bio-karburantet. Zoti Medlok nuk është dakort se nafta botërore po mbarohet, por ai thotë se rritja e kostos së prodhimit të naftës do ta bëjë energjinë alternative më tërheqëse në vitet e ardhshme.

Një problem që parashikohet nga studiuesit e Universitetit Rajs është hendeku mes kërkesës dhe ofertës së burimeve konvencionale të energjisë që do të krijohet në vitet e ardhshme dhe që do të zgjerohet shumë para se të gjendet ndonjë burim tjetër energjie alternative. Disa analistë të sektorit energjitik thonë se çmimi i naftës mund të rritet deri në 150 apo 200 dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Por Sterling Bërnet thotë se kjo mund të shmanget. “Ne nuk kemi mundur të shfrytëzojmë Arktikun ku mund të ketë rreth 16 miliard fuçi naftë. Nuk kemi shfrytëzuar hapësirat pranë bregdetit amerikan ku mund të ketë deri në 100 miliard fuçi. Vetëm nga këto dy vende ne do të kalonim nga vendi i 11-të me rezervat më të mëdha në vendin e katërt.”

Zoti Bërnet kritikon politikanët të cilët premtojnë një të ardhme të re energjie të bazuar në energji alternative. Ai vë në dukje se prodhimi i bio-karburanteve ka ngritur çmimet e ushqimit duke sjellë fitime shumë të pakta energjitike. Zoti Bërnet thotë gjithashtu se 40 vjet investime në energjinë diellore, të erës dhe burime të tjera alternative nuk kanë pasur ndonjë ndikim domethënës në kërkesën e konsumatorit për naftë dhe gaz natyror. Ai thotë se të gjitha të ashtëquajturat karburante të së ardhmes do të përbëjnë vetëm 9 përqind të kërkesës së konsumatorit deri në vitin 2030.//IB

XS
SM
MD
LG