Lidhje

Cilët faktorë ndikojnë në rritjen e çmimit të artikujve ushqimorë


Rritja e çmimeve të artikujve ushqimore i është atribuar faktorëve që nga prodhimi i biokarbureve, rritja e çmimeve të naftës dhe ulja e kërkesës dhe ofertës për eksportet, tregjet e vështira dhe spekullimet e investitorëve. Shumë ekspertë thonë se nuk ekziston një arësye e vetme por është një kombinim faktorësh që kanë ndikuar tek tregjet globale. Reportazhi në vazhdim shpjegon se çfarë po i rrit çmimet e mallrave dhe nëse pritet së shpejti një ndryshim i gjendjes:

Sipas Kombeve të Bashkuara, çmimet globale të mallrave ushqimore janë rritur 45 për qind gjatë nëntë muajve të fundit. Çmimi i grurit është rritur mbi 180 për qind në tre vitet e fundit, ndërsa ai i orizit 76 për qind vetëm këtë vit. Si rezultat, vendet më të varfra mund të përballen me një rritje prej 56 për qind të pagesave për importin e drithërave këtë vit.

Kjo gjendje i kujton analistit Chuck Pierson të Shërbimeve të Investitorëve për Mallrat në Minesota, vitet 70, kur Shtetet e Bashkuara i shitën sasi të mëdha gruri dhe misri Bashkimit Sovjetik, i goditur nga thatësira dhe të korra jo të mbara: “Është ndryshe, por ka ngjashmëri po të bëjmë një krahasim me vitin 1972. Bashkimi Sovjetik e ngriti atëherë çmimin e misrit deri në 4 dollarë, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Gjendja e sotme është pak ndryshe. Tregu po udhëhiqet nga kërkesa, por bëhet fjalë për gjithë botën”.

Megjithëse vitin e kaluar të korrat arritën një shifër rekord në disa vende, moti i keq dhe thatësira në disa të tjera i ka pakësuar rezervat e orizit. Din Bejkër, Drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politike në Uashington, thotë se kërkesa në rritje po pakëson rezervat botërore dhe prodhimin. “Bëhet fjalë për faktorë të kërkesës dhe ofertës. Gjendja keqësohet nga spekulimet, nga kufizimet ndaj tregëtisë. Përsa i takon rezervave, prodhimi i orizit ka rënë në Australi, Japoni dhe disa vende të tjera. Po ashtu për shkak të biokarbureve, fushat me misër po ndryshojnë destinacion, duke mos u përdorur më për prodhim ushqimor. Ndërkohë kërkesa është rritur nga ana e Kinës dhe Indisë që janë pasuruar”.

Shumë vende në zhvillim filluan ta ndalojnë eksportin e grurit vitin e kaluar. Në disa prej tyre shpërthyen trazira pasi çmimet mallrave ushqimore u rritën përtej kufirit të përballueshë nga të varfrit. Kufizimet në tregëti vetëm e rëndojnë situatën, thotë ekonomisti Maximo Torrero i Institutit Ndërkombëtar për Politikat Ushqimore në Uashington: “Argjentina, Kamboxha, Kina, Etiopia dhe India që janë vende pordhuese dhe eksportuese po pengojnë tregëtinë. Është një reagim i vendeve për të mbrojtur vetveten, pasi ndryshme mund të kenë pasoja politike dhe në mënyrë që të konsumojnë me çmime më të ulëta. Kjo sjell rritje çmimi dhe transformim në treg. Nëse tregjet do të vepronin lirisht, do ta dinim saktësisht çmimin”.

Zoti Torrero thotë se pakësimi i eksportit është është vetëm një nga faktorët që ka ndikuar tek çmimet e mallrave ushqimore. Ai thotë se 30 për qind e rritjes i atribuohet biokarbureve, pengesat e tregëtisë 20-25 për qind dhe pjesa tjetër ka lidhje me kërkesën në rritje. Një tjetër faktor janë spekullimet të cilat janë vështirë të vërtetohen. Analistët thonë se po të hiqen kufizimet ndaj eksportit dhe të rritet prodhimi, ekuilibri do të rikthehet në treg dhe çmimet do të bien.

Por ekonomisti Çad Hart i Qendrës për Zhvillimin e Bujqësise në Universitetin Shtetëror të Ajuas thotë se nuk ka gjasa që çmimet të kthehen në nivelet e mëparshme. “Ne parashikojmë që prirja për çmime më të larta për mallrat ushqimore të vazhdojë për dy arsye: Njëra është kërkesa gjithnjë në rritje e kërkesës për prodhime ushqimore, pasi popullsia rritet gjithnjë e më shumë dhe të ardhurat rriten. Njëkohësisht këta njerëz kanë nevojë për më shumë energji. Kështuqë çmimet do të jenë më të larta se ç’kanë qenë historikisht”.

Zoti Hart parashikon që tregu të reagojë ndaj çmimeve të larta të ushqimeve brenda një ose dy vjetësh, duke rritur prodhimin gjë që mud të ngadalësojë zhvendosjen nga zonat rurale në qendrat urbane në vendet në zhvillim. //ad//

XS
SM
MD
LG