Lidhje

A do të rritet çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri?


A duhet të rriten çmimet e energjisë elektrike? Kjo pyetje ka vënë përballë qeverinë shqiptare, që e shikon të panevojshme këtë rritje dhe kërkon përmirësimin e rezultateve të punës së KESHit dhe ekspertët që favorizojnë një rritje tjetër të çmimit, e cila do të zvogëlonte humbjet financiare dhe do ta bënte korporatën më tërheqëse ndaj investitorëve të huaj në prag të privatizimit. Por shefi i misionit të FMN-se Gerwin Bell shprehet kritik për punën e KESHit dhe parashikon probleme në se nuk permirësohet menaxhimi financiar i korporatës energjitike.

Një vit para zgjedhjeve dhe në kushtet kur çmimet ushqimore dhe ato të karburantit janë ne nivele rekord, qeveria shqiptare kërkon të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike. Por humbjet e Korporatës Energjitike Shqiptare dhe pesha e tyre mbi buxhetin e shtetit vazhdojnë të përbejnë shqetësimin kryesor për Fondit Monetar Ndërkombetar. "Më lejoni t’ju japë nje pasqyrë të problemit që ne shohim. Vitin e kaluar, humbjet direkte në buxhet nga KESHi arritën në 2,5 përqind të GDPsë. Kjo shifër është pothuajse e barabartë me fondet që Shqipëria shpenzon në shëndetësi. Pra është një shumë tepër e madhe. Në programin tonë ne parashikojmë se mund të përballohet makroekonomisht vetëm gjysma e kësaj shume, pra 1,2 përqind. Prandaj duhet të merren patjetër hapa për ta zvogeluar këtë humbje, përndryshe do te kemi probleme".

Megjithëse FMN-ja kërkoi vitin e kaluar një rritje prej 30 përqind të çmimit të energjisë, Enti Regullator e miratoi këtë rritje vetëm në mars të këtij viti dhe në një nivel prej gati 20 përqindësh. Drejtuesit e KESH-it dhe Banka Botërore favorizojnë një rritje tjetër të çmimit e cila do të përmirësonte situatën financiare të korporatës dhe do ta bënte atë më tërheqëse në prag të privatizimit të krahut të saj shpërndarës. Por qeveria shqiptare këmbëngul se gjendja mund të përmirësohet edhe pa rritur çmimet, duke forcuar menaxhimin e KESH-it, duke shkurtuar planin e importeve dhe atë të investimeve.

FMN-ja e pranon argumentin e qeverisë por kërkon të shohë rezultate për të shmangur një rritje tjetër të çmimit. Shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell thotë se është i shqetësuar nga rezultatet e korporatës, veçanërisht nga grumbullimi i të ardhurave dhe rritja e papritur e kostove të personelit të KESH-it. "Fatkeqesisht, treguesit e KESH-it janë përkeqësuar. Me nivelin e tanishëm të të ardhurave korporata po krijon probleme të reja. Pikë së pari KESH-i duhet të fillojë të grumbullojë përsëri të ardhura. Them përsëri pasi situata ne katër muajt e parë të këtij viti ka ndryshuar në mënyrë drastike. Së dyti nuk është e qartë për ne përse KESH-i ka një rritje të madhe në kostot e personelit. Krahu shpërndarës është gati të privatizohet, e gjithë ekonomia po përballet me kosto më të larta, përse duhet të reflektohet kjo në kosto shumë më të larta të personelit të korporatës. Ne i kërkojmë KESH-it të kontrollojë këtë aspekt".

Përsa u përket investimeve, FMN-ja këshillon që ato të lihen në dorë të kompanisë private dhe KESH-i të zbatojë vetëm ato investime që janë më emergjentet. Megjithëse ka patur prodhim të lartë vendas këtë vit, importi i energjisë ka vazhduar të jetë i lartë nga KESHi për shkak të kushteve të kontratave të nënshkruara e që korporata nuk mund t’i shmanget ndoshta tani, por importi i energjisë pritet të bjerë në se kushtet e motit vazhdojnë të jenë favorizuese.

Por pas shumë vjetë përpjekjesh të dështuara për të përmirësuar të ardhurat e KESH-it mbetet për t’u parë në se mund të realizohen shumë nga faktorët që do të shmangnin një rritje tjetër të çmimit. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të vlerësojë situatën brenda një periudhe njëmujore dhe do të ulet përsëri në tryezë me qeverinë shqiptare për të vendosur hapat e mëtejshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG