Lidhje

Lukas: Duhet kthimi në atdhe i shqiptarëve të suksesshëm


Gazetari i njohur amerikan Piter Lukas ësht këto ditë në Shqipëri, ku po botohen librat e tij të përkthyer në gjuhën shqipe "Misioni amerikan në Shqipëri" dhe "Rrumpalla". Gjatë një bisede me korrespondentin tonë, Ilirian Agolli në Tiranë, zoti Lukas thotë se Shqipëria ka nevojë për politika dhe politikanë të rinj, të cilët mund të dalin nga shqiptarët e suksesshëm të Perëndimit. Ai vlerëson ftesën që Shqipëria mori për antarësi në NATO, ndërsa thotë se opinioni qytetar në Shqipëri duhet të shohë proceset zgjedhore si një garë sportive dhe jo si një betejë të egër.

Piter Lukas thotë me buzëqeshje se po vjen për të 23-tën herë në Shqipëri qysh nga viti i largët 1986, por kjo radhë ka diçka të veçantë. Gazetari i njohur i “Boston Herald” dhe “Boston Globe” erdhi për të marrë pjesë në publikimin e dy librave të tij të përkthyer në gjuhën shqipe “.

“E kam gjithmonë kënaqësi të kthehem në Shqipëri sepse sa herë vij, gjej shumë ndryshime për mirë. Jam gjithashtu i gëzuar se libri im “Misioni amerikan në Shqipëri” u përkthye në shqip, sepse ajo është një histori e vërtetë shqiptare, edhe pse flet për amerikanët në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Faktet aty duken të pazakonta, sepse askush nuk ka folur për to 50 vjet. Ky libër tregon konkretisht se çfarë ndodhi me anglezët dhe amerikanët këtu dhe se si ndodhi që komunistët morën pushtetin në Shqipëri pas luftës me ndihmën e tyre,” thotë zoti Lukas.

Ashtu si çdo autor, edhe Piter Lukas gëzohet nga ribotimet në gjuhë të tjera, madje kur sheh librin ai thotë se botimi shqip ka dalë më i mirë se origjinali në anglisht. Aspak i lodhur nga rruga e gjatë , Piter Lukas tregon me gëzim se ka marrë me vete në këtë udhëtim edhe skenarin e një filmi. Nxjerr nga çanta një fashikull të trashë ku shkruhet “Cezari i Ballkanit,” një skenar nga Piter Lukas dhe Sten Dragoti, për filmin me ngjarje nga diktatura komuniste, që do të xhirojë së shpejti regjisori i njohur Dragoti.

Ndërkaq zgjedhjet presidenciale amerikane hyjnë papritur në bisedë së bashku me detaje të fushatës së demokratëve Klinton e Obama, apo sigurinë e Mekeinit nga ana e republikanëve.

“Zgjedhjet në SHBA shihen nga të gjithë si një sport, si një program argëtimi, si një garë e gëzuar sportive se kush merr më shumë pikë këtu apo atje. Edhe Shqipëria bën mirë t’i shohë kështu zgjedhjet e veta, si një garë sportive, sepse këtu zgjedhjet ende i shohin si një luftë, si një ndeshje dërrmuese kokë më kokë me shumë tension,” thotë Piter Lukas.

I interesuar për politikën shqiptare, ai thotë se kryeministrin Berisha e ka njohur mirë kur ishte president për herë të parë në pushtet, madje edhe ka shkruar për të në libër, ndërsa me kthimin e tanishëm në pushtet zoti Lukas thotë se kryeministri Berisha ka ndryshuar shumë.

“Lëvizja e Shqipërisë drejt antarësimit në NATO është një plus i madh për Sali Berishën, ndërkohë që Edi Rama po punon për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e tjera,” thotë ai.

Gazetari me përvojë i “Boston Herald” dhe “Boston Globe” sheh pallatet e larta që nga periferia deri në qendër të Tiranës dhe shpreh dyshime për pastrim parash dhe ekonomi të zezë, por edhe vlerëson rrugët e reja që zgjerohen dhe mbushen me pemë.

“Shqipëria ka nevojë për politika dhe politikanë të rinj. Nuk di shumë detaje mbi ato që Edi Rama i quan “politika e re” në fushatën e tij, por Shqipëria vërtet ka nevojë për politikë të re, për një brez të ri që ta udhëheqë, ka nevojë të kthehen njerëzit e saj të shkolluar dhe të suksesshëm nga vendet e tjera, duke sjellë ekspertizën, përvojën e tyre për të ndihmuar politikën e këtij vendi,” thotë Piter Lukas.

Gazetari i njohur shpreson që këto ndryshime të realizohen sa më shpejt, ndërsa vazhdon rrugën drejt botuesve, ku po përgatiten librat e tij në gjuhën shqipe për Luftën e Dytë Botërore, diktaturën dhe tranzicionin shqiptar. (ze)

XS
SM
MD
LG