Përpjekjet e senatores Hillari Klinton për të fituar Shtëpinë e Bardhë ishin një kapërcim i një barriere për gratë dhe analistët thonë se si rezultat mund të jetë më e lehtë për një grua të bëhet presidente në të ardhmen. Por shumë nga përkrahëset e zonjës Klinton janë të zhgënjyera dhe të zemëruara për atë që ato e shohin si diskriminim gjinor e që sipas tyre e sabotoi fushatën e saj.
Senatorja Klinton i dha fund garës presidenciale të shtunën. Në fjalimin ku pranoi humbjen, ajo foli për rolin e gjinisë në fushatë. “Unë jam grua dhe si të gjitha gratë e di që ka ende pengesa dhe njëanshmëri në shoqërinë tonë, shpesh të pavetëdijshme dhe unë dua të ndërtoj një Amerikë që respekton dhe përqafon shanset e secilës prej nesh”.
Zonja Klinton foli për 18 milionë njerëzit që votuan në favor të saj kundër senatorit Barack Obama, që tani është kandidati i Partisë Demokrate. “Megjithëse nuk e kapërcyem barrierën më të madhe, falë jush tani i kemi dhënë 18 milionë goditje”. Gratë ishin ndër përkrahëset më entuziaste gjatë zgjedhjeve paraprake demokrate.
Edhe Zonja e Parë Laura Bush e përshëndeti zonjën Klinton për fushatën e saj historike. “E kam ndjekur fushatën dhe admiroj këmbënguljen dhe forcën e Hillarisë”.
Tani që senatorja Klinton e ka mbyllur fushatën, shumë nga përkrahëset e saj femra kanë shprehur keqardhje dhe zemërim. Ja ç’thotë Haidi Fisher nga Ohajo. “Nuk dua që kampi i zotit Obama të thotë asgjë negative për Hillarinë”.
Zgjedhjet paraprake nxorrën në pah një prirje njëanshmërie kundër grave në shoqërinë amerikane, sipas Organizatës Kombëtare të Grave “NOW.” Për shembull, në një takim fushate të zonjës Klinton në Nju Hempshir, disa burra i thanë “Ma hekuros këmishën” kandidates.
Organizata thotë se media i pasqyroi shumë fyerje. Kim Gandi është presidente e grupit “NOW.” “Shumë nga këto prirje kundër grave në shoqërinë tonë dhe në media kanë qenë të fshehura dhe tani me Hillari Klintonin janë bërë shumë më të hapura, me aq shumë komente për këmbët e saj, trupin dhe zërin e saj. Disa analistë kanë thënë në transmetim gjëra të tilla si për shembull që ajo u kujton burrave ish-gratë e tyre kur u thoshin të hidhnin plehrat përjashta”.
Zonja Gandi thotë se gara historike e zonjës Klinton për postin e presidentit mund t’i ndihmojë gratë që duan të zgjidhen në poste politike. Por ajo thotë gjithashtu se diskriminimi gjinor do të vazhdojë të jetë një pengesë. “Akoma tek ne, 84 për qind e anëtarëve të Kongresit janë burra, po ashtu edhe 82 për qind e guvernatorëve dhe mbi 80 për qind e presidentëve dhe zëvendëspresidentëve të kompanive më të mëdha, ndërsa gratë janë 20 për qind ose më pak. Dhe ngado që ta shohësh kemi shumë për të bërë”.
“Prandaj duhet të ndihmojmë që të zgjidhet Barack Obama president”.
Në fjalimin e saj, zonja Klinton mbështeti rivalin Obama si kandidat për Partinë Demokrate. Analistët parashikojnë që shumë nga përkrahëset e Hillarisë do ta mbështesin senatorin Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Kërtis Gans është kreu i qendrës për Studimet e Zgjedhësve Amerikanë në Universitetin amerikan në Washington. “Mendoj se shumë nga këto gra do të zhvendosen tek kampi i Obamës si për shkak të ekonomisë, ashtu edhe luftës në Irak”.
Megjithatë aktivistet e të drejtave të grave thonë se për të fituar ndaj kandidatit republikan Mekejn, zoti Obama duhet të bëjë më shumë për të bërë për vete përkrahësit e zonjës Klinton që donin të shihnin një grua në postin e presidentit. //bsa//