Lidhje

Engel në Prishtinë: Administrimi i Kosovës nga OKB-ja ka përfunduar


Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të hënën në Prishtinë se koha e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të udhëhequr praninë ndërkombëtare në Kosovë ka përfunduar. Ai i bëri këto komente në një fjalim para deputetëve të Parlamentit të Kosovës, në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të kushtetutës së vendit.



Ligjvënësi amerikan tha se Kombet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë kundërshtarët në Moskë e Beograd që të bllokojnë përparimin e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm duhet të përshpejtojë periudhën kalimtare dhe duhet të lejojë misionin EULEX të fillojë veprimet e plota sa më shpejtë që është e mundur”, tha zoti Engël duke shtuar se kalimi i përgjegjësive nuk ka të bëjë vetëm nga UNMIK-u tek EULEX-i.

“Kalimi i vërtetë i përgjegjësive është për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Engel.

Duke i siguruar deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, zoti Engel tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e fortë dhe gjithmonë do të mbetet e palëkundur. Ai po ashtu tha se Kosova duhet të jetë një demokraci shumetnike, me garanci për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

“Kosova duhet të jetë shembull për rajonin. Ne kurrë nuk duhet të keqtrajtojmë serbët dhe pakicat tjera ashtu siç i keqtrajtonte Millosheviçi shqiptarët. Duke i hapur dyert e lirisë për të gjitha kombet e kësaj toke, ju do të vendosni shtetin tuaj të ri në radhët e demokracive perëndimore dhe do të keni vend krahas Shteteve të Bashkuara dhe fqinjëve tuaj në Evropë”, tha zoti Engel.

I shoqëruar nga ligjvënësja republikane nga Ohajo, Xhejn Shmit, zoti Engel, nga radhët e demokratëve, tha se politika e Shteteve të Bashkuara është jo partiake në përkushtimin ndaj Ballkanit. Ai tha se kushdo që të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara këtë vit, duhet të vazhdojë politikat e angazhimit dhe lidhjet e ngushta me popullin e Kosovës, ndërsa u zotua se, siç u shpreh ai, nuk do të lërë gur pa lëvizur për të siguruar se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara do të forcojë miqësinë me Kosovën.

Ligjvënësi Engel tha se Kosova ka mjaft sfida para vetes dhe e presin shumë punë në procesin e ndërtimit të shtetit.

Shumë punë duhet të bëhet, dhe puna e madhe ju pret juve. Ekonomia ka nevojë për ndihmë. Institucionet demokratike duhet të forcohen. Korrupsioni duhet të zhduket dhe papunësia duhet të zvogëlohet”, tha ligjvënësi amerikan Eliot Engel.

“Të gjithë njerëzit e këtij shteti duhet ta dinë se ka një të ardhme të ndritur në Kosovë, jo vetëm për shumicën shqiptare por edhe për pakicat kombëtare po ashtu”.

Eliot Engel, në Kosovë vlerësohet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve ndërsa një rruge në qytetin e Pejës i është vënë emri i tij. Udhëheqësit e vendit i shprehën atij mirënjohjen për rolin e tij në zgjidhjen e çështjes së Kosovës por edhe mirënjohjen për qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara, roli i të cilave këtu çmohet si i domosdoshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. //bsa//

XS
SM
MD
LG