Lidhje

Uoker: Pushtetarët, të heqin dorë nga prirja për të kontrolluar institucionet e pavarura


Një nga drejtuesit e organizatës Freedom House thotë se pushteti dhe elita politike në Shqipëri duhet të heqin dorë nga prirja për të pasur nën kontroll të gjitha institucionet. Duke komentuar për raportin e fundit të organizatës së tij për Vendet në Tranzicion që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit 2007, Kris Uoker, Drejtor i Studimeve thotë se mangësitë në reformën e drejtësisë dhe korrupsioni, janë të lidhura me njëra-tjetrën. Zoti Uoker foli edhe për sfidat me të cilat përballet Kosova:

Zëri i Amerikës:Vlerësimi i raportit për Shqipërinë nuk ka ndryshuar shumë që nga viti 1999. Ndërkohë Shqipëria mori ftesën për të hyrë në NATO, në bazë të përparimit të saj. Si mund të përputhet ky zhvillim me deklaratën e raportit tuaj se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut?

Kris Uoker: Puna që ka bërë Shqipëria në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Evropian është shumë pozitive dhe konstruktive. Me kalimin e kohës në Shqipëri ka shënuar një përparim të moderuar. Nuk është për t'u habitur që këto ndryshime kanë qenë të ngadalta duke pasur parasysh vështirësitë që ka kaluar vendi në vitet 1990.

Si pasojë shohim që elitat e fuqishme nuk po munden të heqin dorë nga zakonet e vjetra, që bien ndesh me standardet demokratike të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe kjo prirje duhet të ndryshojë, që kalimin e kohës të përmirësohet vlerësimi i raporteve si i yni.

Zëri i Amerikës: Në raport thuhet se koalicioni qeveritar pati prirjen për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura ndërsa opozita nuk e shfrytëzoi këtë prirje në favor të saj. Cili do të ishte komenti juaj?

Kris Uoker: Ky është një tipar i zhvillimit në shumë vende si në Evropën Qendrore dhe Lindore, ashtu edhe në Evropën Juglindore. Unë mendoj se në rastin e Shqipërisë kemi identifikuar sfida të ngjashme, figura mbizotëruese në pushtet dhe elita të tjera politike që në një mënyrë apo një tjetër e përdorin pozitën e tyre për të frenuar zhvillimin që do të ishte shumë i vlefshëm në kuptimin më të gjerë të shoqërisë, për të pasur institucione më të forta që të krijojnë një mjedis ku të mbahet përgjegjësi para qytetarëve dhe për të krijuar rrethanat më të përshtatshme për rritje ekonomike afatgjatë.

Zëri i Amerikës: Reforma në drejtësi është një nga problemet më serioze në Shqipëri. A mund të na flisni pak për përfundimet e raportit në këtë drejtim dhe çfarë duhet bërë?

Kris Uoker: Nëse gjyqësori bëhet objekt i ndërhyrjeve, nëse ai vihet nën presion si nga grupet e fuqishme private të interesave, ashtu edhe nga qeveria, atëherë qëllimi më i gjerë për ndërtimin e shtetit ligjor pëson goditje serioze. Bashkimi Evropian dhe NATO-ja po e ndjekin nga afër ecurinë e shtetit ligjor në përgjithësi dhe hapësirën që i krijohet gjyqësorit për të kryer rolin e vet në sistem. Pra kjo është diçka shumë e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Nga vlerësimet në raport duket se nga të gjitha kategoritë, që janë analizuar për Shqipërinë, korrupsioni kishte nivelin më të ulët. Në raport thuhet se megjithëse qeveria aktuale erdhi në pushtet me platformën e anti-korrupsionit, ajo nuk është e paprekshme prej tij. Cili është komenti juaj?

Kris Uoker: Nuk duhet të harrojmë që shpesh korrupsioni është sa simptomë e problemeve të tjera institucionale, ashtu edhe burim i tyre. Kështuqë në rastin e korrupsionit në Shqipëri, mund të bëjmë menjëherë lidhjen me drejtësinë. Pra për të pasur një përpjekje efektive kundër korrupsionit, është shumë e rëndësishme që të kesh institucione bazë që të jenë në gjendje t'i bëjnë ballë sfidës së korrupsionit, mes së cilave drejtësia, media dhe shoqëria civile. Këto sfida janë shumë serioze në rajon dhe në Shqipëri ky është një problem i jashtëzakonshëm, por që kërkon reforma institucionale në sektorë kritikë dhe institucione për t'u siguruar që me kalimin e kohës korrupsioni të mbahet nën kontroll në nivele që do t'i lejojnë ekonomisë dhe shoqërisë që të zhvillohet.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj, Kosova radhitet e fundit në rajon. A mendoni se arsyeja është pasiguria që i parapriu shpalljes së pavarësisë dhe nëse është kështu çfarë mund të pritet në të ardhmen?

Kris Uoker:Me kalimin e kohës, që kur ne e kemi parë si njësi më vete, Kosova ka bërë përparim, por njëkohësisht në rajon ajo është vendi që ka marrë pikët më të ulëta në rajonin e Evropës Juglindore. Në rastin e Kosovës, kemi një pjesëmarrje të madhe ndërkombëtare në qeverisje gjatë periudhës së përfshirë në raport, pra 2007, deri në momentin kur u shpall pavarësia këtë vit. Kjo në një farë mënyrë krijon kritere të ndryshme vlerësimi për zhvillimin demokratik. Raporti ynë i ardhshëm për vitin 2008 do të analizojë një periudhë kur Kosova të jetë e qeverisur në pjesën më të madhe nga autoritetet vendase. Sfidat që ne kemi identifikuar janë themelore dhe duhet të shohim nëse qeveria e re e shtetit të pavarur do të bëjë hapa përpara. Tani u takon qytetarëve të Kosovës të bëjnë hapat e nevojshëm që vendi të përparojë në të ardhmen afatgjatë. Këto janë sfida të vështira në shumë nivele, por vitin e fundit ne pamë disa përparime modeste por të rëndësishme në një numër drejtimesh si zgjedhjen e nëntorit. Sigurisht që një nga problemet ishte bojkotimi nga ana e pakicës serbe dhe sigurisht që kjo është një sfidë e rëndësishme për qeverinë e Kosovës në të ardhmen që do të kërkojë diplomaci dhe një pjekuri të udhëheqjes për të qenë e suksesshme.

XS
SM
MD
LG