Lidhje

Kosovë: Serbët në veri krijojnë parlamentin e tyre


Përfaqësuesit politikë të serbëve kryesisht në veriun e Kosovës, mbajtën sot në qytetin e ndarë të Mitrovicës mbledhjen e parë të Parlamentit të bashkësisë së komunave të tyre, duke sfiduar synimet e institucioneve të Prishtinës për të shtritë autoritetin e tyre në tërë Kosovën.

Në deklaratën e miratuar në mbledhjen e këtij parlamenti thuhet se Kosova është pjesë e patjetërsueshme dhe e pandashme e Republikës së Serbisë. Sipas deklaratës, këshilltarët e 26 komunave duke parë siç thuhet nevojën e domosdoshme për mbrojtjen e jetëve, të drejtave dhe lirive, identitetit dhe integritetit, kulturës dhe pronës dhe duke hedhur poshtë aktet ndarëse me vullnet të lirë janë pajtuar që në bazë të Kushtetutës së Serbisë të krijojnë Parlamentin e komunave të Kosovës.

Ky Parlament nuk do të ketë mandat ligjvënës dhe ekzekutiv, pasi që ai do të funksionojë mbi bazën e ligjeve të Serbisë, por siç thuhet, synon të miratojë qëndrimet politike të komunitetit serb të Kosovës. Themelimin e këtij parlamenti e kanë bërë anëtarët e Partisë Radikale Serbe, asaj Demokratike Serbe dhe Partisë Socialiste. Ndërkaq përfaqësuesit politikë të afërt me partinë e presidentit të Serbisë Boris Tadic, nuk morrin pjesë në këtë parlament duke vlerësuar se krijimi i tij është një keqpërdorim i pozitave që kanë disa përfaqësues politikë serbë.

Ky parlament do të ketë 45 deputete, nga të cilët dy u takojnë siç thuhet pjesëtarëve të komuniteteve boshnjake dhe rome.

Në krijimin e këtij parlamenti morri pjesë edhe ministri në largim i Beogradit për Kosovën Slobodan Samarxhic, sipas të cilit krijimi i këtij mekanizmi do të ndihmojë në mbijetesën e serbëve dhe siç thotë ai ruajtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën Ai tha se ky parlament është pjesë e pushtetit të Serbisë që do të mundësojë që serbët dhe qytetarët tjerë joshqiptarë të jetojnë në vendin e tyre si qytetarë të Serbisë. "Ky është institucion nëpërmjet të cilit Serbia do të ushtrojë autoritetin e vet në krahinën e Kosovës", tha Slobodan ministri Samarxhiç.

Por, një pjesë e përfaqësuesve politikë serbë e kundërshtojnë formimin e këtij mekanizmi. Rada Trajkoviç, nënkryetare e Këshillit Kombëtar serb tha se ky veprim siç u shpreh ajo, e banalizon edhe ditën e sotme të kremtimit të përvjetorit të Betejës së Kosovës. "Po krijohet Parlamenti që për mua është më shumë është virtuale që ka për qëllim më shumë efektet psikologjike, sesa krijimin e kushteve për mbijetesën funksionale të serbëve në Kosovë", tha zonja Trajkovic.

Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar krijimin e këtij Parlamenti si një veprim të paligjshëm dhe të papranueshëm. Zëvendës kryeministri i Kosovës, Ramë Manaj tha se ky veprim përveç që është një provokim për qytetarët shqiptarë, është një mashtrim për qytetarët serb duke i mbajtur ata larg realitetit të ri në Kosovë. ""Për qeverinë e Kosovës, këto institucione paralele, këto kreatura fiktive janë të papranueshme, të pa qëndrueshme dhe nuk mund të huhet në kurrfarë dialogu me to. Ne jemi të interesuar dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, që komunitetin serb ta integrojmë në vazhdimësi, duke demonstruar gatishmërinë dhe garancat e inkorporuara edhe në kushtetutë dhe në ligjet e Kosovës për një stad të lartë të drejtave të avancuara të komuniteteve pakicë në Kosovën, përfshirë në radhë të parë komunitetin serb", tha zëvendëskryeministri Manaj.

Ndërkaq shefi i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara Lamberto Zannier ka thënë se themelimi i Parlamentit serb, është një veprim simbolik që nuk do të ndikojë në procesin politikë në Kosovë.

Serbët kremtojnë përvjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës

Përfaqësuesit serbë zgjodhën ditën e sotme për të themeluar Parlamentin e tyre, kur shënohet edhe 619 vjetori i Betejës së Kosovës. Qindra pjesëtarë të komunitetit serb morën pjesë në kremtimin e këtij përvjetori. Lutjet në Manastirin e Graçanicës në Prishtinë shënuan fillimin e kremtimeve të sotme të Vidovdanit siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos. Ndonëse beteja e Kosovës shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit, ajo nga serbët shënohet si ditë e fitores shpirtërore. Pjesëmarrësit e tubimeve të sotme thanë se lutën për shpirtin e mbretit Lazar, një princ mesjetar serb I vrarë në betejën e Kosovës derisa komandonte ushtritë e Ballkanit. "Lutem për shpëtimin e të gjithë serbëve dhe heronjve që ranë në betejën e Kosovës", thotë një i ri serb që u është bashkuar qindra të tjerëve në manifestimet e sotme.


Nëntëmbëdhjetë vjet më parë në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti serb Sllobodan Millosheviq, shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.


Nëntëmbëdhjetë vjet pas asaj dite Kosova ka hyrë në muajin e pestë të pavarësisë së saj të njohur nga më shumë se 40 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Serbët lokal dhe Beogradi kundërshtojnë pavarësinë e vendit dhe të mbështetur nga Moska zyrtare kundërshtojnë edhe vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.


Por, përfaqësuesit politikë serbë janë të ndarë në qasjen e tyre ndaj rrugëve për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo ndarje çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi që u mbajtën më 11 maj. Rada Trajkovic, përfaqësuese e Këshillit Kombëtar serb thotë se krijimi I mekanizmave paralel si Parlamenti I komunave të Kosovës nuk ndihmojnë në krijimin e kushteve për mbijetesën funksionale te serbe në këto hapësira. "Unë jam e bindur se për mbijetesën e serbëve në këto hapësira dhe për të vendosur paqen në rajon, duhet një marrëveshje e mirë me shqiptarët", tha zonja Trajkovic.

Por marrëveshja ende nuk duket e afërt. Beogradi ngul këmbë në rifillim bisedimesh për statusin e Kosovës, ndërsa Prishtina thotë se nuk mund të bisedohet për një çështje tashmë të mbyllur, por të dyja palët mund të bisedojnë si vende të pavarura e sovrane për zgjidhjen e çështjeve që të bëjnë me interesat e qytetarëve të dy Republikave.//IB

XS
SM
MD
LG