Lidhje

Zimbabve: Mugabe pritet të bëjë betimin për një mandat të ri si president


Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe, pritet të bëjë betimin për një mandat tjetër si president nesër, pas deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, që e cilësojnë fitore të madhe për të balotazhin e së premtes.

Rezultatet përfundimtare të votimeve nuk janë publikuar ende, megjithëse Komisioni Zimbabvian i Zgjedhjeve tha numërimi i votave përfundoi më pak se 24 orë para se të mbyllej votimi. Komentet e zyrtarëve tregojnë se rezultati do të njoftohet së shpejti.

Komisioni shtetëror priti më shumë se një muaj para se të shpallte rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të 29 marsit. Në ato zjgedhje, udhëheqësi i opozitës Morgan Tsvangiraij fitoi ndaj presidentit Mugabe, megjithëse zyrtarët thanë se ai nuk arriti të siguronte shumicën.

Tsvangirai dhe shumë qeveri perendimore e cilësuan balotazhin si një mashtrim të paligjshëm për shkak të dhunës ndaj përkrahësve të opozitës shumë prej të cilëve u rrahën ose vranë. Zoti Tsvangirai u tërhoq nga gara të djelën e kaluar dhe u bëri thirrje përkrahësve të tij të bojkotonin zgjedhjet.

Presidenti Mugabe është 84 vjeç dhe ka drejtuar Zimbabvenë që kur vendi fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1980.

Reagime ndaj zhvillimeve në Zimbabve

Presidenti amerikan George Bush premtoi të marrë masa të reja kundër qeverisë zimbabviane për ato që i quajti "zgjedhje mashtruese" të së premtes që injoruan vullnetin e popullit.

Në një deklaratë sot, zoti Bush u kërkoi sekretarëve të shtetit dhe thesarit të hartojnë sanksione kundër asaj që e quajti qeveri të paligjshme të Zimbabvesë dhe popullit që e mbështet atë.

Kritikët e kanë akuzuar qeverinë e presidentit Robert Mugabe se kërkoi të fitonte balotazhin presidencial të së premtes përmes dhunës dhe frikësimit.

Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë veprime të fuqishme nga Kombet e Bashkuara përfshi një embargo armësh dhe ndalimin e udhëtimit të zyrtarëve qeveritarë.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian kanë një sërë sanksionesh financiare dhe udhëtimi kundër presidentit zimbabvian Robert Mugabe dhe mbi 100 këshilltarëve të tij.

XS
SM
MD
LG