Lidhje

Lojërat olimpike dhe teknologjia


Në gusht, ekipet kombëtare prej më shumë se 200 vendeve, që nga Afganistani tek Zimbabveja, do të mblidhen në Pekin për Lojërat Olimpike Verore. Por këto lojëra nuk janë vetëm një ngjarje sportive. Karta e Lojërave Olimpike nxit etikën dhe lojën e drejtë. Por mënyra se si mund të garantohet loja e drejtë ka qenë temë debatesh të shumta. Kundërshtimi është i njëzëshëm kur bëhet fjalë për dopingun, kryesisht për faktin se këto substanca i japin atletëve një avantazh të padrejtë. Por, përveç kësaj, tani po shqyrtohet edhe përdorimi i teknologjisë gjatë stërvitjes dhe garave për të parë nëse ajo i jep avantazh disa atletëve.

Në Kairo, atleti egjiptian i garave të shpejtësisë Amr Seud thotë se ai stërvitet pa përdorimin e ndonjë teknologjie të veçantë. "Nuk kemi teknologjinë e fundit. Unë thjesht stërvitem në një pistë me një palë këpucë atletike."

Megjithatë, traineri Medhat Nabi vë në dukje se metodat e stërvitjes e madje edhe pista janë më moderne seç ishin para 25 viteve. "Në të kaluarën, ne vraponim në një fushë me rërë. Nuk kishte pista me korsi të veshura nga shtresa sintetike. Dhe matja e kohës bëhej me kronometër dore."

Teknologjia është përdorur prej kohësh në fushën e sportit për të përmirësuar rezultatet atletike, edhe pse u jep avantazh atletëve dhe vendeve që kanë teknologji më të avancuar.

"Pjesën më të madhe të karrierës sime unë jam stërvitur pa këtë sistem. Trainerët tanë mund të na e përsërisin se ne po bëjmë diçka gabim, por nëse ne na duket në rregull, nuk e kuptojmë derisa e shohim vetë. Teknologjia të jep mundësinë për të parë se çfarë po bën."

Peter Vint është ekspert teknologjie në Komitetin amerikan të Lojërave Olimpike. Ai thotë se federatat individuale të sportit e përcaktojnë vetë se cili është zbatimi i drejtë i teknologjisë, si në stërvitje ashtu edhe në gara. "Për shembull, megjithëse golfi nuk është sport olimpik, shoqata profesionale amerikane e golfit ka vendosur rregulla specifike se si duhet të jenë topat e golfit apo shkopinjtë. Udhëzimet janë shumë të qarta se çfarë mund të përdoret dhe të mos përdoret në lojë. Pra, në këtë mënyrë ata po përpiqen të ruajnë një aspekt thelbësor të një loje të drejtë."

Vendimet në lidhje me përdorimin e teknologjisë në sport janë nganjëherë të ndërlikuara dhe të debatueshme. Federata Ndërkombëtare e Sportit miratoi përdorimin e rrobave të banjës me teknologji të lartë të prodhuara nga firma Speedo. Deb Jeomans shpjegon funksionimin e tyre."Ato ulin fërkimin e trupit me ujin kur noton. Pra e bën trupin sa më të rrëshqitshëm që të jetë e mundur. Ato ndihmojnë gjithashtu notarin të mbajë pozicionin e trupit në ujë."

Atletët që i kanë veshur këto rroba banje kanë thyer më shumë se 20 rekorde botërore që nga muaji shkurt. Kritikët e kanë quajtur kostumin doping teknologjik.

Ndërsa afrikano-jugori pa këmbë Oskar Pistorius fitoi mundësinë për të marrë pjesë në garat e vrapimit të shpejtësisë duke përdorur këmbë artificiale.

Ai ishte ndaluar më parë nga Shoqata Ndërkombëtare e Federatës Atletike. Ata argumentonin se këmbët e tij artificiale prej karboni e lejonin atë të vraponte më shpejt pa u lodhur aq shumë sa do të lodhej po të vraponte mbi dy këmbë normale.

Megjithëse teknologjia novatore mund të paraqesë dilema të reja etike, eksperti i teknologjisë së sportit Piter Vint thotë se federatat e sportit udhëhiqen nga parime të qëndrueshme."Kur të arrijmë të ruajmë integritetin e garës, dhe të shmangim ndikimin e një teknologjie mbi një tjetër, atëherë mendoj se kemi arritur t'i japim atë që meritojnë atletëve dhe sportit."

Pavarësisht nga përparimet teknologjike, zyrtarët e Lojërave Olimpike janë të bindur se në fund të fundit, rezultati i garës do të vendoset nga aftësia dhe vendosmëria e vetë atletëve.//IB

XS
SM
MD
LG