Lidhje

Fillon puna për zgjerimin e aeroportit "Nënë Tereza" të Tiranës


Në Tiranë nisi sot puna për dyfishimin e kapaciteteve të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Investimi 20 milionë Euro pritet të rritë numrin e udhëtarëve pas një viti. në 1,5 milionë persona. Projekti u përurua sot në një ceremoni, ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë dhe qarqeve të biznesit.

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” nisi sot punën për dyfishimin e kapaciteteve të tij me një projekt 20 milionë euro, që do të mbarojë në shtator 2009. Projekti parashikon zgjerimin e terminalit të ri të udhëtarëve me 14 sportele, deri në 1,5 milionë persona në vit, duke shtuar edhe përpunimin e mallrave dhe bagazheve, 3 sportele për kompanitë ajrore, hyrje te reja, 3 dalje në pistë, me një sipërfaqe të përgjithshme 5 mijë metra katrorë.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në ceremoninë e përurimit të punimeve modernizuese se Shqipëria po përpiqet që të lehtësojë sa më shumë kushtet për investimet e huaja dhe të përmirësojë klimën e biznesit.

“Ju garantoj se qeveria është shumë e vendosur të bëjë cdo përpjekje që Shqipëria të shndërrohet në vendin më tërheqës për investitorët e huaj. Qeveria ime ka bërë dhe do të bëjë përpjekje të ëdha për një klimë miqësore ndaj biznesit. Shqipëria po punon për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Bashkimin Europian, ka marrë ftesën për në NATO dhe është firmosur protokolli i antarësimit në Aleancë. Të gjitha këto janë sinjalet më pozitive që vendi im iu dërgon investitorëve nga vendet e tjera. Edhe vetë prania e këtij aeroporti është një sinjal shumë pozitiv për ta” - tha zoti Berisha.

Ndërsa drejtuesi i këshillit administrativ të aeroportit me 3 aksionerë gjermanë e amerikanë, Reinhard Kalenda, tha se qeveria shqiptare po e bën vendin tërheqës për investimet e huaja, jo vetëm me ligje, por edhe me ndërtimin e një infrastructure funksionale sirrugët dhe aeroporti.

“Sot aeroporti paraqitet ne një dritë krejt të re. Brenda një kohe të shkurtër ai ka ndryshuar mjaft. Numri i udhëtarëve është shtuar 22 për qind, dhe shërbimet janë përmirësuar dukshëm. Sot Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është si një ftesë për të ardhur në këtë vend, që po del nga vitet e izolimit. Pakti i Stabilitetit i Europës Jug-lindore i jep Shqipërisë një perspektivë të qëndrueshme europiane, ndërkohë që ka marrë një ftesë edhe për antarësim në NATO”, - tha zoti Kalenda.

Qysh nga prilli i vitit 2005 e deri në vitin 2007 në aeroportin “Nënë Tereza” u investuan më shumë se 50 milionë euro me ndërtimin e një terminali të ri për udhëtarët, me instalimin e pajisjeve të reja për shërbime dhe sigurinë, duke rritur ndjeshëm numrin e udhëtarëve, fluturimeve dhe kompanive ajrore që zbresin tani në Shqipëri.//lk

XS
SM
MD
LG