Lidhje

Tiparet e përbashkëta i motivojnë sipërmarrësit për biznese të reja


Sipas disa studimeve, sipërmarrësit kanë tipare të pëbashkëta, që i motivojnë ata të fillojnë një biznes të ri. Sipërmarrësit e suksesshëm shpesh motivohen jo vetëm nga arritjet e tyre dhe kanë tejkaluar pengesa të konsiderueshme.

Banka Grameen në Bangladesh ka krijuar një metodë të re. Ajo u jep thuajse ekskluzivitet grave hua dhe borxhet për bizneset e vogla gjithnjë thuajse shpërblehen tërësisht.

Muhamed Junus është themeluesi i bankës dhe njihet si hero në këtë vend. Banka Grameen ishte e pari që dha hua në shkallë të gjerë për të varfërit dhe personat që shpresojnë të bëhen sipërmarrës në botën në zhvillim. Kjo sipërmarrje për kredi të vogla i dha Junus-it dhe bankës së tij Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2006.

“Ky është lajm fantastik. Ne jemi tepër të kënaqur me lajmin e mirë, dhe gëzon të gjithë në Bangladesh, si dhe njerëzit që janë përfshirë në aktivitetin për dhënien e kredive të vogla në mbarë botën”.

Melisa Karrier e Universitetit të Merilendit, thotë se kompania e mikrofinancimit e zotit Grameen ka zgjeruar konceptin e sipëmarrjes.

“Sigurisht, që Banka Greeman i ka bërë legjitime huatë e vogla për fshatarët lokalë. Kështu që, ideja e sipërmarrjes tani ka të bëjë me biznesin e vogël të individit: që krijon një pavarësi për vete dhe për të mbështetur familjen”.

Margaret Okoth ka një tezgë në Najrobi të Kenias. Ajo po përfiton nga hua të vogla me interes të ulët nga kooperativa e fshatit të saj.

“Kohët e fundit, kooperativa zgjeroi kufijtë, prandaj mund të merren hua deri në 80 mijë shilinga dhe në se e merr një hua kaq të madhe, edhe biznesi do të rritet”.

Në dhunën paszgjedhore në Kenia, tezga e Okothit u shkatërrua. Por huatë e ndihmuan atë ta rindërtojë atë dhe po ashtu, të vendosë një ekuilibër mes biznesit dhe punës tjetër që ajo bën, atë të bashkëshortes dhe nënës së 12 fëmijëve.

Tani, modeli i Grameen-it, po promovohet nga organizata të mëdha huadhënëse, si Banka Botërore, në diskutimet me vendet në zhvillim. Dalia Kalifa është specialiste e biznesit në një degë të Bankës Botërore.

“Shpeshherë janë zhvilluar studime sidomos për vendet afrikane, sipas të cilave, gratë nuk janë trajtuar njëlloj si burrat kur ato aplikojnë për hua”.

Kështu ka ndodhur në Egjipt. Hoda Galal Yassa është një nga gratë kryesore sipërmarrëse në Kairo. Ajo thotë se gratë në botën arabe ndeshen me pengesa të jashtëzakonshme.

“Gratë konsiderohen se mund të bëjnë mirë punën e sekretares, apo të ndihmëses, ndoshta mund të gatuajnë mirë dhe bazuar mbi këtë aftësi, edhe mund të krijojnë një biznes. Por burrat nuk e pranojnë me lehtësi faktin që një grua mund të bëhet një sipërmarrëse e mirë”.

Hoda e filloi biznesin me fondet e familjes së saj. Ilein Allen, profesoreshë në Kolegjin Babson të Bostonit, thotë se sigurimi i kapitalit mbetet vështirësia më e madhe që duhet të kapërcejë një grua sipërmarrëse, sidomos në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

“Për shkak të kulturës së krijuar, gratë nuk mund të shkojnë në bankë dhe të flasin për biznes me zyrtarë burra. Kjo është një pengesë kulturore. Siç po shohim, financimet e vogla janë një mënyrë për trajtimin e këtij problemi. Po ashtu, ne u kemi rekomanduar bankave në Afrikë që të marrin në punë gra”.

Diskriminimi ndaj grave shkon edhe më tej, thotë Dalia Kalifa e Bankës Botërore.

“Në shumë vende, ne shohim se gratë nganjëherë trajtohen si të mitur para ligjit, jo të afta për të patur fuqi të plotë në nënshkrimin e një kontrate, apo për t’u vetëpërfaqësuar në gjyq”.

Në përgjithësi, gjendja po përmirësohet. Burrat dhe gratë sipërmarrëse po gjejnë mënyra për sigurimin e kapitalit. Disa qeveri po fillojnë të marrin masa për t’ua lehtësuar grave zhvillimin e biznesit. //kk//

XS
SM
MD
LG