Lidhje

Obama, pranon zyrtarisht emërimin e partisë së tij


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, pranoi zyrtarisht emërimin e partisë së tij në praninë e 80 mijë njerëzve në një stadium të hapur në Denver të Kolordos. Fjalimi i tij shënoi edhe përfundimin e kuvendit të Partisë Demokrate.

Të pranishmit në stadiumin e futbollit në Denver shpërthyen në duartrokitje, ndërsa Barak Obama hyri në historinë amerikane si afrikano-amerikani i parë që fiton emërimin e një partie të madhe për president.

"Me mirënjohje të thellë dhe me respektin më të madh, pranoj emërimin tuaj për presidencën e Shteteve të Bashkuara".

Senatori Obama e mbajti fjalimin e pranimit të kandidaturës në një skenë dramatike me një natë të kthjellët në rrëzë të Maleve Shkëmbore të mbuluar me dëborë.

Kjo i dha mundësinë 47-vjeçarit të lindur në Havai tek një baba kenian dhe një nënë amerikane për të transmetuar mesazhin e tij tek miliona njerëz që e ndiqnin kuvendin në televizion.

Senatori Obama tha se Amerika ndodhet në një moment vendimtar, ndërkohë që vendi është në luftë dhe ekonomia në amulli.

"Këto sfida nuk janë të gjitha përgjegjësi të qeverisë. Por mungesa e përgjigjes ndaj tyre është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave jo funksionale në Uashington dhe plotikave të dështuara të Xhorxh Bushit".

Më pas, Senatori Obama kritikoi ashpër rivalin e tij politik, Xhon Mekein, duke thënë se vendi nuk mund të përballojë që republikanët të kontrollojnë edhe për katër vjet të tjerë Shtëpinë e Bardhë.

"Xhon Mekein ka votuar me Xhorxh Bushin 90 përqind të rasteve. Senatorit Mekein i pëlqen të diskutojë për gjykimin e të tjerëve, por çfarë do të thotë për gjykimin tuaj kur mendoni se Xhorxh Bushi ka patur të drejtë 90 përqind të kohës".

Duke synuar për të tërhequr mbështetjen e votuesve të shtresës së mesme, Senatori Obama premtoi se do të ulë taksat për 95 përqind të familjeve punëtore dhe të zvogëlojë mbështetjen e vendit në naftën e huaj.

"Dhe për hir të ekonomisë tonë, të sigurimit dhe të së ardhmes së planetit tonë, unë do të përcaktoj në objektiv të qartë si president. Brenda 10 vjetësh, ne do t'i japim fund varësisë nga nafta e Lindjes së Mesme".

Senatori Obama u tha delegatëve të kuvendit se si komandant i përgjithëshëm ai nuk do të hezitojo kurrë që të mbrojë vendin, por do t'i dërgojë trupat amerikane në luftë vetëm me një mision të përcaktuar mirë.

"Unë do t'i jap fund luftës në Irak me përgjegjësi, si dhe luftës kundër al-Kaidës dhe Talebanit në Afganistan. Unë do të rindërtoj ushtrinë tonë që të jetë e aftë të përballojë konfliketet në të ardhmen. Por unë do të angazhohem në një diplomaci intensive dhe të drejtpërdrejtë për të parandaluar Iranin të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe për të sprapsur agresionin rus".

Senatori Obama u zotua të krijojë partneritete të tjera për të përballuar kërcënimet e shekullit të 210të, përfshirë terrorizmin dhe përfapjen e armëve bërthamore.

"Unë do të rikthej vlerat tona morale që Amerika të jetë përsëri shpresa e fundit dhe më e mirë për të gjithë ata që e duan kauzën e lirisë, për ata që aspirojnë për paqen dhe për ata që kërkojnë një të ardhme më të mirë".

Fjalimi i Senatorit Obama shënoi edhe përfundimin e kuvnedit katër ditor të Partisë Demokrate dhe u mbajt në 45 vjetorin e një prej ngjarjeve më të shënuara të lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë, fjalimit të Martin Luther Kingut, i riu "Unë kam një ëndër".

Kuvendi i demokratëve përfundoi me hedhje fishekzjaresh dhe copa të vogla letrash me të kuqe, të bardha dhe blu që mbushën stadiumin dhe binin mbi Obamën, familjen e tij, si dhe në masën e madhe të përkrahësve të tij. //iç//

XS
SM
MD
LG