Lidhje

Banorët e Teksasit fillojnë evakuimin për shkak të uraganit


Qindra mijëra banorë në brigjet jugore të Teksasit po evakuojnë banesat e tyre për t’i shpëtuar goditjes së Uraganit Ike. Qendra Kombëtare e Uraganëve thotë se stuhia, e cila po përshkon Gjirin e Meksikës, shoqërohet me erëra me shpejtësi 160 kilometra në orë, gjë që e klasifikon atë si uragan të kategorisë së dytë. Meteorologët thonë se Ike mund të shndërrohet në stuhi shumë më të fuqishme kur të mbërrijë në Teksas nesër.

Banorët e sëmurë dhe të moshuar janë transportuar me autobusë nga bregdeti i Teksasit dhe janë vendosur në banesa të përkohshme më në thellësi të këtij shteti. Stuhia pritet të godasë Teksasin nesër diku mes Hjustonit dhe Corpus Cristit.

Autoritetet kanë paralajmëruar 1 milion banorë të largohen për t’i shpëtuar Uraganit Ajk që po i afrohet bregdetit. Qyteti Galveston nxori një urdhëresë të detyrueshme për evakuim. Kryetarja e Bashkisë së këtij qyteti Lida An Tomas i paralajmëroi banorët që kanë vendosur të mos largohen:

"Mund të ketë ndërprerje të rrymës, mungesë uji të pishën, prandaj po përgatitemi."-thotë ajo.

Një banor i Teksasit mendon se evakuimi i detyrueshëm është i nevojshëm në disa zona.

Por Mandi Gacir, pronar i një biznesi, thotë se nuk do të shkojë gjëkundi. Ndërtesa e tij, tregon ai, është ndërtuar në vitet 1800 dhe derisa ka rezistuar kaq gjatë do të rezistojë edhe këtë radhë.

Punonjësit e ekipeve emergjente po punojnë për të bërë gati banesat e përkohshme ku do të strehohen personat e evakuuar. Qyteti i Dallasit që ndodhet larg bregut nuk pritet të goditet rëndë nga uragani, prandaj është përgatitur të mirëpresë të evakuuarit.

Zak Tompson, i Agjencisë së Dallasit për Shëndetin dhe Shërbimet Njerëzore thotë se punonjësit e emergjencave janë të përgatitur:

"E kemi të qartë se shumë prej të evakuuarve që vijnë këtu, po i ikin urganit dhe shpesh nuk kanë ilaçe, ose nuk u kujtohet as emri i ilaçit."

Shumë banorë të bregdetit të Teksasit po bllokojnë dyert dhe dritaret me fletë kompensate. Pronarët e bizneseve thonë se nuk u ka mbetur shumë kohë për t’u larguar.

Presidenti Xhorxh Bush ka shpallur gjendjen e jashtëzankonshme në Teksas. Ky hap bën të mundur akordimin e fondeve federale për të ndihmuar përpjekjet lokale pas stuhisë.

Uragani Ajk ka shkaktuar deri tani 100 të vdekur, gjatë lëvizjes përmes Kubës dhe Karaibeve.//lk


XS
SM
MD
LG