Lidhje

Pres. Bush vlerëson kontributin e amerikanëve myslimanë gjatë darkës së yftarit


Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një darkë yftari për nder të amerikanëve myslimanë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Zoti Bush u tha pjesëmarrësve se administrata e tij kishte krijuar partneritete me myslimanë në të gjithë botën për nxitjen e lirisë dhe tolerancës. Presidenti vlerësoi gjithashtu arritjet e myslimanëve në fusha që nga poetika e deri tek mjekësia.

Kjo ishte darka e tetë e yftarit që organizon presidenti gjatë tetë viteve të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Bush falenderoi amerikanët myslimanë për kontributin që kanë dhënë në pasurimin e jetës për të gjithë amerikanët.

"Një nga pikat më të forta të vendit tonë është diversiteti fetar. Amerikanët praktikojnë shumë fe të ndryshme. Ne të gjithë ndajmë besimin për të drejtën e adhurimit të lirë. Ne e kundërshtojmë mungesën e tolerancës në të gjithë format e saj. Dhe gjatë tetë viteve të fundit, administrata ime ka qenë krenare që ka punuar ngushtë me amerikanët myslimanë për nxitjen e drejtësisë dhe tolerancës fetare."

Presidenti përmendi emrat e disa të ftuarve në darkën e yftarit, duke përfshirë disa që kanë punuar në programin amerikan të hapësirës, si dhe të tjerë që kanë ndihmuar në përparimin e kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë.

"Mendimtarët dhe shkencëtarët myslimanë kanë zgjeruar kufinjtë e diturisë njerëzore. Njerëzit e të gjitha feve kanë përfituar nga arritjet e myslimanëve në fusha që nga filozofia e deri tek poetika, matematika dhe mjekësia. Në fillim të shekullit të ri, myslimanët në Shtetet e Bashkuara e vazhdojnë këtë traditë krenare inovacioni dhe zbulimesh."

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara kanë krijuar partneritete me myslimanë në të gjithë botën për përhapjen e demokracisë.

"Ne po ndihmojmë popujt e Irakut dhe Afganistanit të ndërtojnë shoqëri të lira pas dekadash tiranie. Dhe gjatë këtij muaji reflektimi, ne do të kujtojmë të gjithë amerikanët myslimanë kurajozë që kanë veshur uniformën e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara. Ata përfaqësojnë pjesën më të mirë të vendit tonë. Kam nderin të jemi kryekomandanti i tyre."

Mes të ftuarve në darkë ishte edhe kryeministri i Kuvajtit Sheik Nasar Muhamed al-Ahmad al-Sabah. Agjencia kuvajtiane e lajmeve njofton se kryeministri ndodhet në Uashington për bisedime të ndryshme mes të cilave përfshihet edhe e ardhmja e katër kuvajtianëve të mbajtur si terroristë të dyshuar në qendrën amerikane të paraburgimit në Gjirin Guantanamo të Kubës.

Imami ushtarak i ushtrisë amerikane Abdullah Hulve mbajti faljen e darkës duke iu lutur Zotit t'u jepte pjesëmarrësve forcën për t'i trajtuar rreziqet me kurajo dhe urtësi dhe të gjitha ngjarjet me disiplinë dhe besnikëri.

"Na ndihmo Zot ta përdorim agjërimin tonë si instrument për përmirësimin e të gjithë njerëzimit dhe paqen në të gjithë botën. Të falenderojmë për forcën e karakterit që na jep Ramazani. Na ndihmo ta përdorim atë për të mbrojtur dhe ruajtur lirinë me të drejtë dhe paqe si dëshirën kryesore në zemrat tona."

Më shumë se një miliard myslimanë në të gjithë botën festojnë muajin e shenjtë të Ramazanit me agjërim, lutje dhe vepra bamirësie. Kjo festë shënon zbulimin e fjalës së Zotit në Kuranin e Shenjtë tek profeti Muhamet. //bsa//

XS
SM
MD
LG