Lidhje

SHBA: Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi pranë finalizimit të planit për të nxjerrë financat nga kriza


Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara janë pranë finalizimit të një plani për të nxjerrë financat nga kriza, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë. Presidenti Bush u takua dje me kandidatët demokratë dhe republikanë për president si dhe me udhëheqës të Kongresit dhe u bëri thirrje atyre të miratojnë propozimin e tij për të derdhur 700 miliardë dollarë në sistemin financiar. Ligjvënësit thonë se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për parimet themelore, por republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk janë dakord me disa çështje për të cilat vazhdojnë negociatat.

Presidenti Bush tha se duhet vepruar me shpejtësi dhe pa humbur kohë që procesi të shkojë përpara:

“Ne do të gjendemi në një krizë të rëndë ekonomike në qoftë se nuk e miratojmë këtë plan. Shpresoj që të biem dakord shumë shpejt”.

Ky ishte një takim i pashmebullt në Shtëpinë e Bardhë, në një vit të pazakontë zgjedhjesh me shumë oshilacione.

Presidenti Bush e diskutoi këtë çështje në Shtëpinë e Bardhë me pretendentët për postin e tij, demokratin Barak Obama dhe republikanin Xhon Mekein. Presidenti u bëri thirrje të gjitha palëve të punojnë sëbashku për miratimin e paketës financiare prej 700 miliardë dollarësh.

“Populli amerikan duhet të dijë se të gjithë ne që jemi mbledhur rreth kësaj tryeze po e shqyrtojmë problemin me shumë seriozitet dhe jemi të bindur se duhet të bëjmë diçka sa më parë që të jetë e mundur”.

Ligjvënësit që janë vënë në krye të përpjekjeve për hatimin e projektligjit të nevojshëm thonë se palët kanë rënë dakord në parim. Por disa elementë konservatorë në çështjet financiare nga vetë Partia Republikane e Presidentit Bush i vënë theksin tek rëndesa mbi taksapaguesit e këtij plani të pashembullt për nxjerrjen nga kriza të institucioneve financiare private.

Një nga kundërshtarët më të fortë të planit është Senatori Riçard Shelbi nga Alabama, republikani në pozitën më të lartë në Komisionin e Senatit për Bankat, tha pasi doli nga takimi në Shtëpinë e Bardhë se nuk ishte arritur marrëveshje:

"Unë mund t’ju them se nuk besoj që të kemi rënë dakord. Unë i ka shprehur vazhdimisht shqetësimet e mia”.

Asnjë nga pjesëmarrësit e tjerë në takimin me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë nuk bëri komente kur doli sëandejmi. Këshilltarët thanë se ata duhet të shkonin sa më parë në Kapitol për të vazhduar negociatat.

Por brenda pak orësh nga takimi, senatorët Obama dhe Mekein komentuan në programet kryesore të kanaleve televizive të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë me ABC-në, Senatori Mekein, i cili ishte iniciatori i takimit në Shtëpinë e Bardhë, tha se ishte me rëndësi që të gjitha palët ta diskutonin këtë çështje.

“Ne e diskutuam këtë çështje dhe nuk kemi asnjë dyshim për seriozitetin e krizës që kemi përballë. Ne kemi diskutuar për vendet e punës dhe për huatë. Ne jemi duke diskutuar për mundësinë e bisneseve të vogla që të vazhdojnë punën”.

Por Senatori Obama tha në kanalin CBS se përfshirja e kandidatëve presidencialë në një formë kaq demonstrative në diskutim, mund t’i politizojë edhe më tej negociatat tashmë të nxehta.

"Preferenca ime është të bisedoj në telefon me njerëz të ndryshëm, përfshirë Sekretarin Polson, Kryetarin Bernanke dhe të tjerë, në një formë që nuk do të ishte kaq demonstrative e që bëhet pengesë për realizimin e qëllimeve. Është mahnitëse se sa shumë gjëra mund të realizohen, kur nuk përpiqesh të marrësh merita për to”.

Dy kandidatët për president pritet të zhvillojnë debatin e tyre të parë sonte në Misisipi. Të mërkurën, Senatori Mekein, bëri thirrje për shtyrjen e tij. Por tani ai thotë se mund të gjendet mënyra për ta zhvilluar atë siç ishte caktuar.

Demokratët e kanë kritikuar ashpër Senatorin Mekein, për sugjerimin e tij për të shtyrë debatin. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Heri Rid, u shpreh kështu për këtë çështje:

"Po e përsëris se ne nuk kemi nevojë për politikë presidenciale në këtë çështje. Xhon Mekein nuk ka marrë pjesë në votimin në Senat që nga muaji prill, dhe e them me sinqeritet se ai nuk ka bërë asgjë, me përjashtim të disa orëve të fundit, për ta ndihmuar avancimin e këtij procesi".

Kryetari i Komisionit të Financave të Dhomës së Përfaqësuesve, Barni Frenk, tha se nuk ka asnjë arsye që të shfrytëzohet si pretekst kriza financiare për të shmangur debatin.

Presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve në fjalimin që mbajti në televizion të mërkurën në mbrëmje që të mbështesin planin e propozuar prej 700 miliardë dollarësh për të nxjerrë financat nga kriza.

Ligjvënësit nga të dy partitë kanë marrë mesazhe të shumta nga zgjedhësit, shumica e të cilëve kritikë për propozimin e administratës së Presidentit Bush.

Udhëheqësit demokratë thonë se janë të predispozuar ta mbajnë Kongresin në sesion deri sa të arrihet një marrëveshje që do t’i kënaqte amerikanët dhe t’i siguronte se nuk do të kenë pasoja të mëtejshme nga kriza financiare. //iç//

XS
SM
MD
LG