Lidhje

SHBA: Kandidatët Obama dhe Mekein shkëmbejnë replika për politikën e jashtme dhe gjendjen ekonomike


Kandidati demokrat Barak Obama dhe kandidati republikan Xhon Mekein shkëmbyen replika për politikën e jashtme dhe për gjendjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara në debatin e tyre të parë presidencial para zgjedhjeve të nëntorit.

Dy senatorët shprehën pikpamje mjaft të kundërta për luftën në Irak. Senatori Mekein tha se pasojat e humbjes në Irak do të ishin të shumta, përfshirë një ndikim më të madh të Iranit në rajon, shtimin e dhunës sektare dhe një luftë më të gjerë që mund t'i detyronte forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të ktheheshin përsëri.

Senatori Obama tha se ushtria amerikane nuk duhet të kishte shkuar në Irak sepse kërcënimi më i madh ishte Afganistani. Ai tha se lufta ishte një gabim strategjik.

Të dy senatorët ranë dakord për kërcënimin që do të përbënte Irani për Izraelin, në qoftë se Teherani do të zotëronte armë bërthamore.

Senatori Mekein u shpreh në favor të sanksioneve më të rrepta kundër Teheranit dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë një Holokaust të dytë. Senatori Obama u shpreh për një diplomaci të drejtpërdrejtë më të ashpër.

Të dy kandidatët u përqendruan në problemet ekonomike të Shteteve të Bashkuara në pjesën e parë të debatit të tyre.

Senatori Mekein e pëshkroi Senatorin Obama si tepër liberal për të bashkëpunuar me republikanët dhe theksoi se shpenzimet në Uashington duhet të vihen patjetër nën kontroll. Senatori Obama u përpoq ta lidhte Senatorin Mekein me Presidentin Bush, duke thënë se kishte mbështetur politikat e gabuara të Presidentit Xhorxh Bush. //iç//


XS
SM
MD
LG