Lidhje

SHBA: Pranë zyrtarizimit plani për nxjerrjen nga kriza të sistemit financiar


Ligjvënësit amerikanë thonë se kanë arritur një marrëveshje në parim për planin e nxjerrjes nga kriza të sistemit finanaciar, para hapjes së bursave të hënën. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nanci Pelosi, tha para pak minutash se marrëveshja duhet të hidhet në letër para se të zyrtarizohet. Udhëhqësi i demokratëve në Senat, Heri Rid tha se ai shpreson që të bëhet një njoftim përfundimtar më vonë sot. Ligjvënësit amerikanë gjatë gjithë ditës dje dhe gjatë natës mbrëmë vazhduan bisedimet në lidhje me planin për të nxjerrë vendin nga kriza financiare. Por Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, na informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti Bush po përballet me kundërshtimin e pjesëtarëve të partisë së tij, të cilët nuk bien dakord me koston e planit.

Presidenti Bush thotë se e gjithë ekonomia amerikane vihet në rrezik nga pasiguria e vlerës së aksioneve të mbështetura mbi kreditë prej miliarda dollarësh të shtëpive, të cilat tashmë kanë humbur vlerë dhe kërcënojnë ekonominë amerikane.

Bankat të cilat mbajnë këto asete po kufizojnë kredinë duke e bërë gjithnjë e më të vështirë marrjen e huave nga ana e bizneseve dhe konsumatorëve. Presidenti Bush kërkon që Kongresi të miratojë shumën prej 700 miliardë dollarësh për të blerë kreditë e këqija, për t'u krijuar mundësi bankave të kenë më shumë para për për të dhënë hua.

Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm radiofonik, presidenti tha se ai e kupton gjendjen e vështirë të amerikanëve në këto momente dhe e di se amerikanët e ndjejnë që nuk është e drejtë që ata të paguajnë për gabimet e investitorëve të Uall Stritit ndërsa shumë prej tyre mezi po paguajnë kreditë e shtëpive të tyre.

Zoti Bush tha se nëse këto banka do të falimentonin kostoja për xhepin e konsumatorit do të ishte më e madhe se ajo që presidenti po përpiqet të aprovojë nëpëmjet Kongresit.

"Dështimi i sistemit financiar do të bënte që bankat të ndalonin dhënien e kredive njëra tjetrës si edhe bizneseve dhe konsumatorëve. Kjo do ta bënte më të vështirë që amerikanët të merrnin para hua apo kredi për të zgjeruar biznesin e tyre, çka do të sillte më pak rritje ekonomike dhe më shumë vende pune të humbura. Dhe këto të fundit do ta çonin ekonominë tonë drejt një ngecjeje të thellë dhe të dhimbshëm".

Anketat tregojnë se 40% e amerikanëve e kundërshtojnë planin e qeverisë për të shpenzuar paratë e taksapaguesve për të blerë investimet e këqija.

Shumica e demokratëve dhe republikanëve në Senat bien dakord me parimet e planit të presidentit, por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kundërshtojnë koston e tij. Ata kërkojnë një sistem më të fortë sigurie për të mbuluar rënien e vleftës së aksioneve të firmave kreditore.

Gjatë fjalimit radiofonik të demokratëve, udhëheqësi i shumicës së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuese, Steni Hojër, tha se paratë e shpenzuara duhen kontrolluar.

"Kongresi ynë nuk fimos çeqe të bardha 700 miliard dollarëshe. Do të ketë një kontroll të fortë se ku dhe si do shpenzohen paratë. Paratë e taksapaguesve nuk mund të sponsorizojnë shpërblime luksoze apo largime të qeta nga puna për drejtorët e bankave që kanë përgjegjësi për këtë problem".

Ligjvënësit vazhduan punën gjatë ditës së djeshme. Dy demokratë, udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, dhe Kryetari i Komisionit për Shërbimet Financiare në Dhomën e Përfaqësuesve, Barni Frenk, thanë se ata besojnë se marrëveshja mund të zyrtarizohet që sot.

Ligjivënësit amerikanë shpresojnë se marrëveshja mund të njoftohet para hapjes së tregjeve aziatike të hënën. //iç//

XS
SM
MD
LG