Lidhje

Boston, 100-vjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare themeluar nga Fan Noli


Komuniteti shqiptar i Bostonit festoi të shtunën me madhështi 100-vjetorin e Kishës Ortodokse Shqiptare të themeluar nga Fan Noli. Të ftuarit e nderit ishin Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dhe aktori me origjinë shqiptare Xhim Belushi.

Qindra vetë erdhën të shtunën në Qendren e Tregtisë Botërore të Bostonit për të festuar së bashku përvjetorin e një ngjarjeje që i ndihmoi shqiptarët e posardhur në Amerikë të lidhen më ngushtë me njëri-tjetrin dhe të ruajnë traditat e të parëve në një tokë të huaj. Fan Stilian Noli, atëhere 26 vjecar, themeloi Kishën autoqefale shqiptare me liturgjinë e parë shqip në mars të vitit 1908.

Dhe sot, pas 100 vjetësh nga kjo ngjarje e shënuar, shqiptarët e Bostonit dhe të Amerikës i njohin Nolit meritën e padiskutueshme si vizionar dhe udhërrëfyes i komunitetit të tyre.Bostoni ka sot një komunitet shqiptar të gjallë, me identitet të fuqishëm.

Kisha e Shën Gjergjit ku shërbeu Noli, ruan edhe sot traditën e respektit për fetë e tjera dhe është një faktor bashkimi për të gjithë shqiptarët.Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili erdhi këtu nga Nju Jorku, mbajti një fjalim emocional që u prit me entusiazëm nga shqiptarët e Bostonit. Ai u solli të pranishmëve përshëndetjet e Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu me te cilin u takua ne Nju Jork.

Presidenti Topi nderoi me urdhërin Naim Frashëri i Artë Katedralen e Shën Gjergjit dhe me urdhërin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, themeluesin e Kishës shqiptare, Fan Stilian Nolin.Në mbrëmjen e madhe përshëndetën klerikët më të lartë ortodoksë shqiptarë të Amerikës, Peshkopi Nikon, Peshkopi Ilia dhe At Artur Liolin. I ftuar i posacëm i mbrëmjes ishte aktori Xhim Belushi, i cili përshkroi me nota komike vitet e rinisë në familjen e tij shqiptare. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai foli me krenari për origjinën e tij shqiptare:

“Rrënjët e mija shqiptare shfaqen në shumë drejtime. Etika e punës për mua është gjëja më e rëndësishmë në jetë. Pastaj është familja, mbështetja e familjes dhe përpjekjet që njerëzit e tu të kenë sukses. Jam shumë krenar që jam shqiptar. kam ardhur këtu për ta treguar këtë krenari dhe dëshiroj që edhe shqiptarët e tjerë ta shfaqin këtë krenari kudo që shkojnë në botë. Unë jam shqiptar.”

Më pas, për minuta të tëra Belushi mbajti më këmbë gjithë sallën me interpretimin e tij plot pasion.

XS
SM
MD
LG