Ekspertë ligjorë amerikanë thonë se Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë ka të drejtë ta shqyrtojë kërkesën serbe mbi
ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës edhe pse nuk ka një preçedent për Kosovën.
Ata bien dakord se harku kohor prej të paktën një viti i nevojshëm që Gjykata
të marrë një vendim do të ketë pasoja negative për situatën në rajon.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori këto ditë kërkesën serbe mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjykatës do t'i duhet të paktën një vit për të mbledhur dokumentacionin e duhur ligjor, opinionet e ekspertëve ligjorë si dhe punimet akademike ligjore në lidhje me Kosovën përpara se Gykatësit të japin opinionet e tyre.
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka asnjë preçedent për rastin e Kosovës. Sipas ligjit ndërkombëtar, Gjykata lejohet të shqyrtojë të gjitha çështjet, përfshirë edhe ato për të cilat nuk ka preçedent.Megjithatë ky fakt duket se do ta vështirësojë akoma më shumë proçesin ligjor, pasi gjykata do të duhet të bazohet vetëm në burimet standarde të normave të ligjit ndërkombëtar dhe në praktikat shtetërore. Entoni Arend është profesor në Universitetin Xhorxhtaun të Uashingtonit.
"Nëse gjykata vendos të japë një opinion këshillues në lidhje me këtë çështje atëherë gjykatësit do të bazohen vetëm mbi treguesit e normave të ligjit ndërkombëtare si edhe deklarata të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve në lidhje me raste të ngjashme me atë të Kosovës. Po kështu do të analizohen përgjigjet që bashkësia ndërkombëtare ka dhënë në raste të tilla", thotë ai.
Shtetet e Bashkuara nuk gëzojnë një raport shumë të mirë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas profesorit Arend, kjo në parim nuk duhet të ndikojë mbi mënyrën sesi Gjykata do ta trajtojë çështjen e Kosovës, pavarësia e së cilës është mbështetur fuqishëm nga Uashingtoni.
E ndërsa ekspertët ligjore bien dakord që çdo vendim i Gjykatës mund të nxisë kërkesa të tjera të kësaj natyre nga shtete apo entitete të tjera nëpër botë, ekspertë të politikës së jashtme thonë se edhe pasojat politike nuk duhen nënvlerësuar. Çarls Kapçën në Këshillin Amerikan për Marëdhëniet me Jashtë në Uashington thotë se votimi i javës së kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e komplikon situatën si për Kosovën edhe për Shtetet e Bashkuara.
"Votimi tregon se çështja e Kosovës ende nuk është mbyllur, të paktën jo përsa i përket aspektit ligjor. Kjo është problematike pasi shqyrtimi nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës pamundëson gjatë kësaj kohe një vendim përfundimar mbi Kosovën".
Megjithatë, zoti Kapçën është i mendimit se mekanizmat ligjore për njohjen e një shteti të pavarur janë të pasqaruara mirë dhe kjo do të bëjë që opinioni këshillues i Gjykatës të mos ketë një formë të prerë. Sipas tij, opinioni i Gjykatësnuk pritet të ndryshojë qëndrimin amerikan.
"Qëndrimi amerikan mbi Kosovën ka qënë i prerë. Pavarësia është e pandryshueshme".
Eskpertët bien dakord se kohëzgjatja prej një derë në dy apo më shumë vjetësh për marrjen e një vendimi mbi një opinion këshillues nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare nuk do të ketë pasoja pozitiva për rajonin. Siç thonë ata serbët që mendojnë se pavarësia e Kosovës mund të zhbëhet apo ata që mendojnë se mund të ndajnë veriun e Kosovës do të vazhdojnë ta ushqejnë këtë ide, përsa kohë që Gjykata do të jetë duke u marrë me çështjen e statusit.
Mbetet të shihet nëse Gjykata do të vendosë ta konsiderojë kërkesën serbe dhe nëse po a do të përshpejtojë ajo proçedurat mbi arritjen e një opinioni këshillues në lidhje me rastin e Kosovës. //kk//