Lidhje

Kujdesi Shëndetsor në Shtetet e Bashkuara


Shtetet e Bashkuara shpenzojnë gati 6 mijë e 500 dollarë në vit për person për kujdesin mjekësor. Franca, mes vendeve të tjera të zhvilluara, shpenzon gjysmën e kësaj shume dhe garanton përfitime më të mira që nga kujdesi për shtatëzaninë e deri tek mbulimi i shpenzimeve të pacientëve me sëmundje kronike.

Shtetet e Bashkuara kanë sistemin më të shtrenjtë mjekësor në botë, e megjithatë, vendi radhitet i 29-i në botë për nga jetëgjatësia.

Të gjitha vendet evropiano-perëndimore radhiten më lart se sa Shtetet e Bashkuara në shumicën e komponentëve të shëndetësisë. Megjithatë, shtetet evropiane i detyrojnë të gjithë banorët të kenë siguracion, ndërsa në Shtetet e Bashkuara secili vendos vetë dhe shpesh kjo lidhet me punësimin.

Gjatë gjashtë vjetëve të fundit, çmimi i siguracionit në Shtetet e Bashkuara është rritur 4 herë më shpejt sesa pagat. 47 milionë njerëz janë pa siguracion shëndetësor, ndërsa 25 milion të tjerë janë me siguracion minimal dhe u duhet të paguajnë shuma të mëdha për faturat mjekësore.

Një studim i Universitetit Harvard tregon se faturat mjekësore luajnë rol në gati gjysmën e falimentimeve personale që prekin çdo vit 2 milionë amerikanë.

Megjithatë, vendi shpenzon 2 trilionë dollarë në vit për kujdesin shëndetësor dhe kjo prirje po rritet. Gati 25 përqind e shpenzimeve federale shkojnë për kujdesin shëndetësor, duke i vënë Shtetet e Bashkuara në krye të vendeve të zhvilluara për nga shpenzimet.

Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke paralajmëroi kohët e fundit se kostoja e lartë e kujdesit shëndetësor do të shtojë trysninë mbi buxhetin e njerëzve dhe të qeverisë në se ato nuk ulen.

“Shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara janë rritur me ritme më të shpejta sesa të ardhurat për frymë. Në se kjo prirje vazhdon, ashtu siç parashikojnë shumë ekonomistë, pjesa e të ardhurave që do të duhet për të paguar për kujdesin shëndetësor do të rritet. Kjo do ta bënte siguracionin shëndetësor dhe pagesat për faturat mjekësore të papërballueshme”.

Kostoja mesatare për siguracionin shëndetësor për një familje është 12 mijë dollarë në vit – gati 25 përqind e të ardhurave mesatare.

Humbja e vendit të punës shpesh sjell humbjen e siguracionit shëndetësor. Për shumë punonjës të pasiguruar nga kompania, kostoja është tepër e lartë.

“Bëra operacion zemrën dhe më duhet të paguaj 700 mijë dollarë faturën, thotë ky pacient”.

Një problem tjetër janë gjendja mjekësore para marrjes së siguracionit. Kompanitë e siguracionit kanë të drejtë të mos pranojnë klientë me sëmundje kronike.

“Në vitin 2003, kompania Blue Cross nuk pranoi të paguante për një procedurë të thjeshtë për djalin tim dhe tani fatura është gati 20 mijë dollarë”.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara mund të kenë sistemin më të paefektshëm shëndetësor në botën e zhvilluar, ky vend ka mjekësinë më të mirë në botë dhe teknologjia është e fjalës së fundit. Evropianët përpiqen të imitojnë institucionet akademike amerikane që kombinojnë kujdesin shëndetësor dhe shkencën si Xhons Hopkins, Masaçusets Xhenërëll apo Stenford.

Analistët theksojnë se standartet amerikane të kujdesit shëndetësor për ata që kanë siguracion janë të shkëlqyera, por çmimet katastrofike. 16 përqind e shpenzimeve të prodhimit të përgjithshëm bruto këtu shkojnë për kujdesin mjekësor dhe analistët thonë se sistemi shëndetësor amerikan nuk i justifikon paratë e shpenzuara për të. (ze)

XS
SM
MD
LG