Lidhje

Petreas fillon detyrën e re si kreu i Komandës Qendrore Amerikane


Gjenerali amerikan i cili vlerësohet për kthesën pozitive që mori lufta në Irak merr të premten komandën e forcave amerikane për të gjithë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, duke u vënë kështu në krye të veprimtarive ushtarake amerikane në Afganistan, Irak dhe rajonin përreth. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon Al Pesin njofton rreth sfidave me të cilat përballet gjenerali Dejvid Petreas.

Nuk është e vështirë të gjesh lëvdata për një vit e gjysëm pune të gjeneralit Dejvid Petreas në Irak, gjatë së cilës dhuna ra me 80 përqind dhe trupat amerikane filluan t’ia dorëzojnë përgjegjësitë forcave të reja irakiane në pjesë të mëdha të vendit. Por këto ditë, më shumë se një muaj pasi është larguar nga Iraku, vëmendja po përqendrohet tek ato që gjenerali Petreas do të bëjë në detyrën e tij të re, dhe veçanërisht nëse ai do të jetë në gjendje ta zbatojë doktrinën e tij kundër kryengritësve që publikoi dhe e përdori në Irak, në luftën gjithnjë e më të egër kundër Talebanit, al-Kaidës dhe grupeve që kanë lidhje me ta në Afganistan. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, gjenerali Petreas tha se lufta në Afganistan është shumë ndryshe, por megjithatë shtoi se ai do t’i zbatojë disa nga metodat që kishte përdorur në Irak.

“Disa koncepte sigurisht që mund të zbatohen në shumë situata, si për shembull nevoja për t’u përqendruar tek siguria e popullsisë, si dhe përpjekjet për nxitjen e pajtimit, ku ka mundësi, dhe në rastin e Afganistanit edhe me ndihmën e presidentit Karzai.”

Thirrja e gjeneralit për zhvillimin e bisedimeve me ata që ai i quan elemente të kryengritjes me të cilët mund të bashkëpunohet, mundësisht edhe disa elementë Talebanë, është mbështetur nga shefi i tij, sekretari i mbrojtjes Robert Gejts. Gjenerali Petreas renditi disa faktorë të tjerë kyç të luftës kundër kryengritësve, duke përfshirë qëndrimin mes banorëve lokalë, koordiminim me agjencitë civile të shumë vendeve të tjera dhe grupeve të ndihmave, ndjekjen e udhëheqësve dhe luftëtarëve që nuk duan të bashkëpunojnë, dhe stërvitjen e forcave lokale për t’i përgatitur për transferimin e përgjegjësive. Gjenerali do ta fillojë komandën e tij me një rishqyrtim të hollësishëm të strategjisë amerikane në Afganistan. Edhe Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë janë angazhuar në rivlerësimet e tyre. Të gjitha këto do t’i parashtrohen presidentit të ri për t’i vlerësuar dhe për të marrë vendime kur të marrë postin në janar. Por gjenerali Petreas i tha Zërit të Amerikës se misioni në Afganistan do të ketë nevojë për më shumë trupa amerikane, ashtu siç kishte ndodhur edhe me rritjen e famshme të numrit të trupave në Irak.

“Nuk e vë në dyshim që Afganistani ka nevojë për tupa shtesë. Të gjithë pajtohen me këtë. Unë jam një ndër ta. Sekretari i mbrojtjes, shefi i shtatmadhorisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, udhëheqësit e NATO-s e të tjerë, të gjithë janë dakort në këtë pikë. Por shifra e duhur, konfigurimi dhe gjëra të tjera do të vendosen gjatë rrjedhës së muajve të ardhshëm.”

Zyrtarët thonë se numri i trupave amerikane në Afganistan mund të rritet me 20 mijë apo më shumë gjatë vitit të ardhshëm, përveç 20 mijë trupave amerikane dhe të aleatëve të NATO-s që u dërguan gjatë vitit të fundit. Por, Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë këtë vetëm nëse situata e sigurisë në Irak do të krijojë mundësinë për reduktimin e nivelit të trupave në atë vend me po atë shifër. Xhon Nejgël, ish-leitnant kolonel i ushtrisë amerikane dhe ekspert i luftës kundër kryengritësve, thotë se përvoja e gjeneralit Petreas do t’i shërbejë atij në detyrën e re si udhëheqës i Komandës Qendrore Amerikane.

“Parimet e luftës kundër kryengritësve, të cilat gjenerali Petreas i zbatoi me efektivitet në Irak, mund të na mësojnë shumë për sa i përket strategjisë që duhet të përdorim në Afganistan. Ndoshta, një një mësim i rëndësishëm është nevoja për të krijuar siguri në terren. Dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë për një periudhë afatgjatë është përmes trupave në terren.”

Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se dërgimi i më shumë trupave mund të krijojë kundërshtim më të madh. Ata bëjnë thirrje për një strategji me bazë më të gjerë afgane të mbështetur nga ndihma e huaj. Profesor Endrju Baçeviç nga Universiteti i Bostonit parashikon që gjenerali Petreas nuk do të mund ta zbatojë të njëjtën formulë që pati sukses në Irak për krijimin e një strategjie të suksesshme në Afganistan.

“Nuk ma merr mendja. Të dy fushëbetejat janë rrënjësisht të ndryshme për sa i përket pozitave gjeopolitike, historisë, kulturës, përbërjes së popullsisë etj. Prandaj, të mendosh se mund të kesh një recetë të gatshme që mund të përdoret në Afganistan është tepër optimiste.”

Gjenerali Petreas e pranon se gjërat nuk kanë vajtur mirë në Afganistan gjatë muajve të fundit dhe se vendi dhe konflikti janë shumë të ndryshëm nga Iraku. Përveç kësaj, në Afganistan ka shumë palë që kanë të drejtën e fjalës për sa i përket strategjisë së luftës, duke përfshirë vendet e NATO-s dhe qeverinë afgane. Kësaj i shtohet edhe problemi i kryengritësve që kanë baza në Pakistan, dhe rritja e dhunës kohët e fundit.

“Në disa aspekte, situata është keqësuar në disa zona. Prirjet kanë devijuar. Pra në disa zona duhet t’i ndryshosh këto prirje dhe pastaj të fillosh të ecësh përpara.”

Afganistani është sfida kryesore, por jo e vetmja, me të cilën do të përballet gjenerali Petreas në komandën e tij të re. Mes çështjeve të tjera për rajonin e tij, ai do të duhet të vazhdojë të mbështesë përpjekjet amerikane në Irak, të menaxhojë sigurinë në Gjirin Persik, të kujdeset për mundësinë e një konflikti me Iranin dhe të punojë me udhëheqësit pakistanezë për strehimet e kryengritësve përgjatë kufirit afgan. Iraku ishte me të vërtetë problem i vështirë, por detyra e re e gjeneralit Petreas është disa herë më e ndërlikuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG