Lidhje

Barak Obama, kandidati demokrat për president i Shteteve të Bashkuara


Kandidati demokrat për president Barack Obama i cili gëzon epërsi në shumë anketime, iu kthye temës së tij popullore në këto orë të fundit që na ndajnë deri në zgjedhje. Ai përdori thirrjen e tij për ndryshim kur foli për krizën ekonomike për të nxjerrë në pah dallimin nga rivali republikan, Xhon Mekein. Zoti Obama hyri në histori si kanididati i parë presidencial afrikano-amerikan i një partie kryesore. Le t'i hedhim tani një vështrim ngjitjes dramatike në skenën politike të zotit Obama.

Barak Obama u lind në Havai, 47 vjet më parë, bir i një babai kenian dhe i një nëne amerikane nga Kansasi.

Ai kaloi një pjesë të fëmijërisë të tij në Indonezi dhe më pas studioi në Universiteti e Kolumbias dhe Fakultetin e së Drejtës të Harvardit.

Karriera politike e zotit Obama mori formë pjesërisht gjatë viteve të aktivizmit në komunitetet e lagjeve të varfëra të Çikagos.

Në vitin 2004, ai u zgjodh në Senatin amerikan. Po atë vit ai mbajti fjalimin kryesor në Kuvendin Kombëtar të partisë demokrate. Ky i dha atij shtytjen për tu ngjitur në skenën politike të vendit.

Përkrahësit e zotit Obama vlerësojnë aftësinë e tij për të kuptuar shpresat dhe idealet e amerikanëve. Një moment i tillë frymëzues ishte ai pas zgjedhjeve paraprake në Iowa në muajin janar; “Thoshin se kjo ditë nuk do të vinte kurrë, se po pretendonim shumë. Kishte nga ata që thanë se ky vend është tepër i përçarë për t’u bashkuar rreth një synimi të përbashkët. Por sot, në këtë natë janari, në këtë moment historik, ju realizuat atë që skeptikët thoshin se nuk mund ta bënim”.

Senatori Obama arriti të fitonte zgjedhjet paraprake duke ngjallur zemërim ndaj senatores Hillëri Klinton dhe u bë afrikano-amerikani i parë që mori emërimin e një partie kryesore si kandidat për president.

Denis Xhonson është profesor në Universitetin Xhorxh Uashington. Ai thotë se fushata e zotit Obama ka qënë impresionuese.

"Ata u treguan shumë të efektshëm në mobilizimin e njerëzve të bazës– nxitja e njerëzve për të votuar, për tu regjistruar, komunikimi me ta me e-mail. E gjithë kjo ka qënë shumë e rëndësishme dhe e suksesshme, ndoshta më e mira që kam parë".

Kontributet e mëdha për fushatën e tij e kanë lejuar zotin Obama të bëjë reklama në valët e transmetimeve duke u përqëndruar në programe tek të cilat ai do të përqëndrohet kur të zgjidhet president.

"Kam thënë se do të shkurtoj taksat për 95 përqind të punonjësve amerikanë".

Disa ekspertë thonë se zoti Obama u maturua gjatë fushatës duke fituar një stil presidencial dhe vetbesim.

"Ka ardhur koha të ndërtojmë ura të reja në mbarë globin, po aq të forta sa ato që na lidhin me anën tjetër të Atlantikut".

Turneu i tij në Evropë, Irak dhe Afganistan kishte si synim të ngrinte kredibilitetin e tij në marrëdhëniet e jashtme dhe në çështjet ushtarake.

Votuesit e shqetësuar për krizën financiare kontribuan në rezultatet e anketave të opinionit.

Por disa nga komentet e tij për reformën e taksave bënë që republikanët ta akuzonin se ai kërkon të rishpërndajë pasurinë e vendit.

"E shihni, senatori Obama beson në rishpërndarjen e pasurisë, jo në politikat për të rritur ekonominë dhe për të krijuar vende pune".

Në fund, fushata e zotit Obama do të mbahet mend si historike: një afrikano-amerikan që kandidoi për president. Analistët thonë se fushata e tij frymëzoi të rinjtë si askush tjetër dhe frynmëzoi imagjinatën e njerëzve kudo në botë. //rd//

XS
SM
MD
LG