Presidenti i zgjedhur Barak Obama po lëviz me shpejtësi për të formuar
administratën e tij para se të marrë zyrtarisht postin janarin e
ardhshëm. Janë me qindra poste për t'u
plotësuar në vetëm 10 javë nga dita e inagurimit. Në komentet e tij para personelit te Shtepisë
së Bardhë per transferimin e pushtetit , Presidenti Bush tha se ai do
te krijoje gjithë lehtësitë qe periudha e tranzicionit te jete sa me e
lehtë. Presidenti i falenderoi gjithë punonjësit e Shtëpisë së Bardhë
dhe u bëri thirrje të bashkepunojnë sa më ngushtë me ekipin e ri të
presidentit Obama që procesi të jetë sa më i lehtë.
Burime pranë ekipit të tranzicionit të zotit Obama thanë se presidenti i zgjedhur ka grumbulluar një listë emrash për postin e sekretarit të thesarit. Ato përfshijnë Timothy Geithner, president i Bankës së rezervës Federale të Nju Jorkut , Lawrence Summers, i cili ka mbajtur këtë post nën administratën e presidentit Klinton dhe Paul Volcker, ish kryetar i Rezervës Federale.
Presidenti i zgjedhur i ofroi dje
kongresmenit Rahm Emanuel postin e
shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë. Zyrtarë demokratë thanë se kjo
është zgjedhja e parë që bën zoti Obama në morinë e emërimeve të tjera për
postet e ndryshme të administratës së re.
Emri i zotit Emanuel filloi të qarkullonte dje përpara se zoti Obama të zhvillonte një takim gjashtë orësh me këshilltarët e tij më të lartë për të diskutuar tranzicionin, kabinetin dhe presidencën e tij të ardhshme. Kongresmeni i Illinoit ka qënë këshilltar politik i presidentit Bill Klinton dhe një detyrë e tillë do ta kthente atë përsëri në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur para se të merrte ofertën, zoti Emmanuel tha se do të ishte një nder për të nëse kjo ndodhte.
"E kam për nder qoftë edhe për faktin që po shqyrtohem si kandidaturë po aq sa e kam për nder që votuesit e Çikagos më zgjodhën përsëri në Kongres. Pra, kam dy shanse të shkëlqyera përpara meje. Unë jam një bir dhe nip imigranti dhe tani më jepet rasti të zgjedh mes shefit të personelit për presidentin e ri, i cili është një mik i ngushtë i imi e që unë e adhuroj dhe mundësisë për të përfaqësuar në Kongres njerëzit e Çikagos veriperëndimore, të cilët më rizgjodhën".
Emanuel është demokrati i katërt më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve. Posti i ri do ta kthente përsëri zotin Emmanuel në Shtëpinë e Bardhë ku ai ka qenë këshilltar politik i ish presidentit Bill Clinton. Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë Emmanuel u mor me investime bankare dhe para 6 vjetësh fitoi një vend në Kongres si përfaqësues i një zone të Çikagos. Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit ai u ngrit me shpejtësi në pozita drejtuese.
Si kryetar i komitetit të fushatës demokrate në vitin 2006, ai luajti rol kryesor për t’i sjellë demokratët përsëri në kontroll në Kongres pas 12 vjetësh në pakicë. Emanuel ruajti paanshmërinë gjatë betejës së fortë në zgjedhjet paraprake mes Obamës dhe senatores Hillary Rodham Clinton për shkak të lidhjeve të hershme si me ish zonjën e parë ashtu edhe me senatorin e Ilinoit.
Dy zyrtarë të fushatës së zotit Obama thanë se ai do të bëjë një deklaratë me shkrim për të njoftuar se ekipi i tij i tranzicionit do të kryesohet nga John Podesta, i cili ka qenë shef personeli i Shtëpisë së Bardhë nën Bill Klintonin, Pete Rouse, ish shef personeli i Obamës në Senat dhe Valerie Jarrett, mike dhe këshilltare e zotit Obama.
Me ekonominë në krizë zotit Obama
do ti duhet shumë shpejt të emërojë sekretarin e thesarit. Mes kandidatëve për
këtë post janë Larry Summers, ish sekretari i respektuar i thesarit në
administratën e presidentit Klinton por gjithashtu një figurë e debatueshme.
Summers u përjashtua nga kryesia e Harvardit pjesërisht për faktin sesugjeroi
që studentet femra nuk janë aq të afta sa meshkujt për të studiuar shkencë dhe
inxhinieri. Presidenti i rezervës federale të Nju Jorkut Tim Geithner shihet si
një figurë që mund të sjellë besueshmëri në Uoll Strit dhe duket të jetë më
pranë ideve që kërkon të vejë në zbatim zoti Obama.
Një emër tjetër që qarkullon për postin e sekretarit të thesarit është ajo e Paul Volker, ish kryetari i Rezervës federale nën administratën e presidentëve Regan dhe Carter. Megjithatë Shtëpia e Bardhë, do të mbajë një takim të nivelit të lartë për ekonominë më 15 nëntor dhe zoti Obama mund ta vonojë emërimin e sekretarit të thesarit.
Burimet pranë
fushatës së zotit Obama thonë se senatori John Kerry dhe senatori republikan
Chuck Hagel po konsiderohen për në postin e sekretarit të Shtetit. Ish
Sekretari i Marinës Richard Danzig është kandidati kryesor për të marrë postin
e sekretarit të mbrojtjes. Zoti Obama do të
informohet sot me materiale të klasifikuara të zbulimit nga zyrtarë të CIAs. //iç//