Lidhje

Obama: Do të përballem me krizën ekonomike menjëherë


Presidenti i zgjedhur Barak Obama tha se do të përballet me krizën ekonomike të vendit menjëherë pasi të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një konferencë shtypi, e para që jep zoti Obama pas fitores në zgjedhje, ai tha se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbutjen e krizës së kreditit, për të ndihmuar familjet amerikane dhe për të rigjallëruar ekonominë.

Ai e dha konferencën e shtypit në praninë e ekipit të tij ekonomik dhe të personit që do të jetë shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, kongresmenit nga shteti Ilinoi, Rahm Emanuel.

Presidenti i zgjedhur, Barack Obama tha se do të lexojë me kujdes një letër që i ka ardhur nga presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe do të përgjigjet në kohën e duhur.

Zoti Obama u tha gazetarëve se zhvillimi nga Irani i armëve bërthamore është i papranueshëm dhe se mbështetja e Teheranit për terrorizmin duhet të ndërpritet.

Lidhur me çështje të tjera, zoti Obama tha se dëshiron të shikojë miratimin sa më shpejt të një pakete për stimulimin ekonomik. Ai shtoi se do të takohet të hënën me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i zgjedhur, është takuar sot me ekipin e tij ekonomik në Çikago. Në ekipin e tij ekonomik bëjnë pjesë zyrtarë dhe ish zyrtarë të qeverisë dhe disa ekzekutivë shumë të njohur, si investitori legjendar Warren Buffett.

Në takim ishin gjithashtu të pranishëm ish Sekretari i Thesarit, Lawrence Summers dhe ish kryetari i Rezervës Federale, Paul Volcker, që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për postin e Sekretarit të Thesarit. Zoti Obama pritet të shpallë emërimin e tij së shpejti.

Zoti Obama caktoi kongresmenin demokrat nga Ilinoi, Rahm Emanuel, për postin e Shefit të Kabinetit. Zoti Emanuel ka shërbyer edhe në administratën e presidentit Klinton.

Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, tha se zoti Emanuel është një mik i tij i ngushtë dhe një njeri që kryen punë. Zoti Emanuel tha nga ana e tij se do të bëjë çdo gjë të mundur që presidenti i ardhshëm Obama të bashkojë vendin dhe të sjellë ndryshimin për të cilin ka nevojë Amerika.//iç//

XS
SM
MD
LG